Kryeshefit të “KRU Gjakova” i sekuestrohen 22 mijë euro, ndalohet për 48-orë

Prokuroria Speciale ka njoftuar për arrestimin e kryeshefit të KRU Gjakova, Hasan Krasniqi.

Sipas Prokurorisë, Krasniqi është ndaluar për 48 orë.

Specialja ka konfirmuar edhe aksionin e policisë, në të cilin janë bastisur banesa e të dyshuarit dhe zyrat e tij në KRU Gjakovë.

Poashtu gjatë ditës së sotme janë kontrolluar-bastisur edhe objekti i banimit të personit të dyshuar dhe zyra e tij në KRU Gjakovë, ku janë siguruar dëshmi- prova materiale që ndërlidhen me rastin, si dhe janë sekuestruar: Një laptop, një telefon Samsung Galaxy S22, 22 mijë e 205 euro, barka Ranier Wit dhe dy kontrata që ndërlidhen me rastin.

Prokurori i rastit brenda afatit ligjor do të vendosë për masën e sigurisë së pranisë së të pandehurit në procedurë.

Kjo bastisje vjen pas publikimit të disa audio-incizimeve në të cilat dëgjohet kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, teksa flet për negocim kontrate dhe konfirmon përfshirjen e tij në kontaktimin e bizneseve që do të merreshin me servisimin e makinave të Ndërmarrjes, si dhe dëgjohet duke thënë se do të zgjedhë Kompaninë për të nënshkruar Kontratën, për një tender për servisimin e veturave.

Hasan Krasniqi në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021 ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamblenë Komunale të Gjakovës, por nuk kishte marrë votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e saj.

Në janar të vitit 2022, ai ishte zgjedhur kryeshef ekzekutiv në KRU “Gjakova”.