Kryeshefi ekzekutiv i Komisionit të Pavarur të Mediave, Luan Latifi, e ka cilësuar të rrezikshëm për demokracinë krijimin e televizionit të Lëvizjes Vetëvendosje, “TVV”.
Latifi ka thënë se krijimi i mediumit televiziv nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje paraqet cenim të së drejtës së qytetarëve për informim të pavarur dhe të drejtë.
“Në një shtet demokratik, një parti politike të mbajë në pronësi një televizion (çoftë edhe vetëm në platformat online, për të cilat KPM nuk ka mandat te rregullimit) është kërcënim për demokracinë; shpërfillje e të drejtës për liri të shprehjes; dhe cenim i të drejtes së qytetarëve për informim në mënyrë të pavarur, të drejtë dhe të paanshme”, ka thënë Latifi të enjten mbrëma.
Kryeshefi i organit që merret me rregullimin e shërbimeve audio-vizuale në Kosovë, i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të marrë iniciativë për ndryshimin e Ligjit për KPM-në në mënyrë që ky organ të ketë mandat për rregullimin e platformave televizive online.
“I bëj thirrje Kuvendit të Republikës së Kosovës që të inicoj ndryshimin e Ligjit për KPM-në, e njëkohësisht, të veprojë me urgjencë në emërimin e tre (3) anëtarëve të KPM-së, për ta bërë funksional organin vendimmarres të këtij institucioni”, thuhet në shkrimin e Latifit në Facebook.