Kryeshefi Ekzekutiv i KRM “Pastrimi”: Rama po manipulon me mbeturinat për t’ua dhënë tenderët miqve të tij

Kryeshefi Ekzekutiv i KRM “Pastrimi”, Petrit Reçica, ka akuzuar Komunën e Prishtinës për sabotim të qëllimshëm të shërbimeve të pastrimit dhe përpjekje për të favorizuar kompani private në procesin e menaxhimit të mbeturinave, shkruan Demokracia.com.

Reçica ka bërë të ditur se deri në orën 9 të mëngjesit të së hënës, kryetari i Komunës, Përparim Rama, nuk kishte dorëzuar as kamionët dhe kontejnerët e blerë, e as dokumentet e tyre për regjistrim, ndonëse kërkesat për këtë kishin qenë të vazhdueshme. Sipas tij, vetëm pak para konferencës për media, Rama dorëzoi disa prej tyre, por jo të gjithë.

“Kjo është një tjetër tregues i qartë i manovrave për të bllokuar shërbimet publike dhe për të krijuar kaos të qëllimshëm”, ka deklaruar Reçica.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se më 7 janar 2025, përmes një emaili drejtuar kryetarit Rama dhe z. Bekim Brestovci, ka kërkuar një takim për të koordinuar shërbimet e pastrimit në kryeqytet, por përgjigja erdhi pas më shumë se 10 ditësh. Sipas tij, në atë takim, Rama ishte i vendosur që pastrimin t’ua jepte kompanive private, duke treguar mungesën e vullnetit për zgjidhje dhe synimin për ta politizuar çështjen.

Për më tepër, Reçica ka akuzuar Ramën se ka kërkuar nga disa punëtorë të “Pastrimit” të sabotojnë shërbimin, me qëllim që t’ia japë tenderin një kompanie private dhe të gjejë një arsye për shkarkimin e tij. “Për këtë kemi fakte të mjaftueshme”, ka theksuar ai.

Sipas Reçicës, Komuna tashmë ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave, duke pretenduar se KRM “Pastrimi” nuk po e kryen punën si duhet.

“Të nderuar qytetarë, ne po punojmë pa pushim, 24 orë në 7 ditë të javës, pavarësisht sfidave. Nuk dorëzohemi, sepse Prishtinën do ta pastrojmë nga mbeturinat”, ka deklaruar ai.

Ai gjithashtu ka paralajmëruar se duket se po përgatitet e njëjta skemë si ajo e shkurtit të vitit 2024, kur një kompani private ishte përfshirë në proces dhe më pas u shpall një tender në vlerë 16.5 milionë euro, i ndarë në pesë llote, me kritere të përgatitura për të favorizuar operatorë të caktuar.

“Së pari u fut në lojë një kompani private, pastaj u hap një tender me kritere të qepura sipas interesave. Ky tender përfundoi i bllokuar në OSHP, duke dëshmuar manipulimin e procesit dhe tendencën për të falimentuar KRM ‘Pastrimi’”, ka thënë Reçica.

Sipas tij, këtë herë synimi është hapja e një tenderi me negocim, ku ekzistojnë dyshime të forta se fituesi është i paracaktuar – një kompani me lidhje të ngushta me pushtetin komunal.

“Nëse ndjekim të njëjtën logjikë, procedurat e hapura do të shmangen, rregullorja e Kuvendit do të shkelet, dhe tenderi do t’u jepet emrave të përzgjedhur, siç ka ndodhur në të kaluarën”, ka deklaruar ai.

Në fund, Reçica ka siguruar qytetarët se KRM “Pastrimi” do të vazhdojë të punojë për të garantuar një nivel të lartë të shërbimit në grumbullimin e mbeturinave, pavarësisht sfidave dhe pengesave. /Demokracia.com/