Vetëm gjatë muajit shkurt të vitit 2025, në rajonin e Prishtinës janë raportuar 53 raste të dhunës në familje, ku viktima janë gratë.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, numri më i madh i këtyre rasteve, gjithsej 30, është regjistruar në komunën e Prishtinës, ndërsa rastet e tjera janë shpërndarë në qytetet e tjera të rajonit të kryeqytetit.
Pas Prishtinës, Podujeva ka regjistruar 7 raste, Lipjani dhe Fushë Kosova nga 5 raste secila, ndërsa në Obiliq janë raportuar 3 raste të dhunës ndaj grave.“Dhuna ndaj grave është shumëfish më prezente se që raportohet”, ka thënë sociologu Labinot Konushevci.
“Dhuna ndaj grave është shumëfish më prezente se sa që raportohet”.
Sociologu Labinot Konushevci e konsideron këtë shifër si vetëm një pjesë të realitetit, duke theksuar se dhuna ndaj grave është shumë më e pranishme sesa raportohet zyrtarisht.
“Dhuna në familje përbën një fenomen kompleks dhe shumëdimensional, i ndikuar nga faktorë socio-ekonomikë, kulturorë dhe psikologjikë. Numri i rasteve të raportuara nuk reflekton domosdoshmërisht përmasën reale të këtij fenomeni, pasi shumë raste mbeten të fshehura për shkak të frikës, stigmatizimit dhe varësisë ekonomike të viktimave nga partnerët e tyre,” shpjegon Konushevci.
Ai vlerëson se rritja e rasteve të raportuara lidhet edhe me ndryshimet demografike dhe rritjen e vetëdijësimit të grave për të kërkuar mbrojtje institucionale.
“Faktorët që ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të raportuara janë të shumtë. Përveç përshkallëzimit të dhunës, një rol të rëndësishëm luan edhe rritja e densitetit të popullsisë në Prishtinë dhe një nivel më i lartë ndërgjegjësimi për të denoncuar rastet e dhunës në familje,” thekson ai.
Sipas Konushevcit, një tjetër faktor kyç që ndikon në rritjen e rasteve të dhunës është humbja e ekuilibrit midis urbanizmit dhe mirëqenies emocionale e familjare.
“Urbanizmi dhe mënyra e jetesës në qytet duket se e ka humbur ekuilibrin ndërmjet mirëqenies ekonomike dhe mirëqenies emocionale, edhe nën efektin e presioneve dhe trysnive urbane apo kërkesave më të mëdha, duke e brishtësuar përparësinë e të jetuarit në qytet dhe kjo prishje ekuilibri, përveç që e ka zbehur dhe tkurrur solidaritetin dhe kohezionin familjar, po na shfaqë më shumë raste dhune në qytet”, u shpreh Konushevci.
Një ndër aspektet më të rënda të fenomenit të dhunës në familje është shkalla e lartë e rasteve të paraportuara.
“Shqetësuese dhe alarmante mbetet dhuna e paraportuar, e heshtur, e mbuluar nga frika prej hakmarrjes apo pasojave të paparashikuara brenda roleve familjare, nga pasiguria, mungesa e besimit në institucione, varësia ekonomike ndaj burrit, inferioriteti dhe izolimi etj. Kjo lidhet me mënyrën e jetesës dhe me mënyrën se si ndërtohen rolet brenda familjes. Pasi shumë partnerë futen në martesë pa qenë të përgatitur emocionalisht për të.Martesa nuk është një eksperiment social”, thekson Konushevci.
Balancimi i mirëqenies ekonomike dhe asaj emocionale sipas sociologut mund të ketë ndikim në parandalimin e dhunës në familje.
“Dhuna nuk është një fenomen që duhet të relativizohet. Sepse mungesa e inteligjencës emocionale krijon predispozita për ushtrimin e dhunës apo për manifestimin e formave të dhunshme në zgjidhjen e problemeve, krizave, mosmarrëveshjeve apo trazirave brenda familjes. Partnerët që kanë inteligjencë emocionale arrijnë t’i zgjidhin problemet përmes formave më inteligjente dhe humane, përmes komunikimit, empatisë, marrëveshjes, vetëpërmbajtjes, harmonisë, sakrificës etj. Vetëm balancimi i mirëqenies ekonomike dhe mirëqenies emocionale mund ta parandalojë dhunën brenda familjes apo faktorët stresues dhe depresivë që akumulojnë apo shpërthejnë në dhunë”, pohon ai.
Raporti i fundit konfirmon rritjen e dhunës në familje në rajonin e Prishtinës
Një raport i Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) i vitit 2024 ka konfirmuar një rritje të ndjeshme të rasteve të dhunës në familje.
Në raportin “Ballafaqimi me dhunën në familje në Kosovë: Trajtimi institucional ndaj dhunës në familje për periudhën korrik 2023 – qershor 2024”, evidentohet se gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 2,856 raste të dhunës në familje.
79 për qind e viktimave janë gra.
Po sipas raportit, rajonet e Prishtinës dhe Pejës vazhdojnë të mbeten ndër zonat me numrin më të lartë të aktakuzave për dhunë në familje.
Dhuna psikologjike mbetet forma më e përhapur e dhunës, e ndjekur nga dhuna fizike.
Gjatë vitit 2024 janë regjistruar 3 vrasje të grave ndërsa nga viti 2010 deri në gusht të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra.
…
Ky projekt është pjesë e iniciativës së UN Women, “Adresimi i ndikimeve të dhunës me bazë gjinore në Kosovë dhe fuqizimi i të mbijetuarve/eve për të luftuar stigmën dhe për të folur hapur”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë.