Dhjetë ditë pas shpalljes së gjendjes emergjente në kryeqytetin e vendit, Prishtina, gjendja është përkeqësuar ndjeshëm, duke lënë qytetarët të përballen me një situatë kaotike dhe të rrezikshme.
Përmes një komunikate për medie bëhet e ditur se pavarësisht përpjekjeve të komunës për të ndihmuar kompaninë “Pastrimi” për të menaxhuar mbeturinat, kjo kompani, sipas komunës, ka dështuar në mënyrë dramatike, duke prodhuar sabotazhe të paarsyeshme dhe lojëra politike që kanë penguar çdo mundësi për përmirësim të gjendjes në terren.
“Kompania ka dështuar të shpërndajë kontejnerët e rinj për mbeturina që u janë dorëzuar dhe gjithashtu ka lënë jashtë funksionit kamionët e rinj që u janë dorëzuar, duke krijuar një terren të rrezikshëm që mund të çojë në shpërthim epidemish”, thuhet në komunikatë.
Komuna e Prishtinës vlerëson se dështim i përmasave të mëdha ka krijuar një situatë alarmante për shëndetin publik, ku qytetarët e Prishtinës janë të rrezikuar për shkak të menaxhimit të dobët të mbeturinave. “Pas një inspektimi të detajuar nga Drejtoria për Shëndetësi, Siguri dhe Emergjenca, dhe Inspekcioni, kemi dalë me raporte konkrete që dokumentojnë rrezikun e drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve”.
“Në këtë moment kritik, si kryeqytet, paralajmërojmë se do të ndërmarrim masa të menjëhershme dhe të ashpra ndaj kompanisë “Pastrimi” për shkak të dështimit të tyre të pafalshëm dhe sabotimit të qëllimshëm që ka vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve dhe ka lënë kryeqytetin të përballet me një krizë shëndetësore që mund të ketë pasoja të rënda”, thuhet në fund të komunikatës.