Kryeministri spanjoll nuk kërkon falje ndaj Izraelit: E gjithë bota po mobilizohet kundër barbarizmit

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, vazhdoi me kritikat ndaj veprimeve të qeverisë izraelite dhe Benjamin Netanyahut, duke u ndalur gjithashtu edhe te qëndrimet e opozitës në Spanjë.

Gjatë një seance të Parlamentit spanjoll, lideri i opozitës, Alberto Nunez Feijoo, kritikoi ashpër kryeministrin Sanchez dhe e pyeti nëse ai mendon se qeveria e tij mund të bëjë çfarë të dojë me paratë e qytetarëve

“Po krijoni mjegull për të mbuluar problemet reale me të cilat përballen spanjollët. Doni të hetoni televotimin në Eurosong. Qeveria po boshatis frigoriferët e popullit spanjoll dhe po mbush xhepat e zyrtarëve të saj të korruptuar”, tha Feijoo.

Përgjigjja e Sanchezit nuk vonoi, “çdo ditë shpikni një krizë. E njëjta strategji prej shtatë vitesh, dhe i njëjti rezultat: ju në opozitë, kjo qeveri e çon Spanjën përpara. Spanja po ecën përpara, qeveria po ecën përpara, dhe këtë e bën pa lejen apo mbështetjen tuaj. Gjithmonë kundër Spanjës”.

Më pas ai u ndal edhe te qëndrimi i opozitës ndaj çështjes së Izraelit dhe Palestinës, konkretisht situatës në Gazë.

“I gjithë bota po mobilizohet kundër barbarisë së Benjamin Netanyahut. Ju, ndërkohë, bëni shaka për Frankon. Çfarë mungese njerëzillëku,” përfundoi Sanchez.