Që nga koha kur Kosova shpalli pavarësinë e saj janë zhvilluar dy beteja të mëdha në arenën ndërkombëtare.
Njëra prej tyre është udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë perëndimorë, e cila ka ngritur në këmbë Republikën e Kosovës dhe tjetra është propaganda e madhe e Rusisë dhe e Serbisë kundër shtetit të Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Në qendër të kësaj propagande të Rusisë dhe Serbisë është përpjekja e vazhdueshme e tyre për ta paraqitur Kosovën si një shtet të dështuar dhe si investim politik ndërkombëtar krejtësisht i gabuar i ShBA-së dhe botës demokratike perëndimore.
Portretizimi i Kosovës si një shtet i dështuar, ka për qëllim që ajo të paraqitet edhe si një dështim i Perëndimit dhe ShBA-së që e ndihmuan Kosovën në luftën për çlirim dhe pavarësi nga Serbia.
Për Rusinë e Putinit, dështimi i Kosovës është një betejë e drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë mënyrë, Rusia përdor propagandën për të ruajtur ndikimin e saj në Ballkan, për të mbështetur Serbinë dhe për të kundërshtuar politikat e Perëndimit në rajon.
KURTI RRËNON FUNKSIONALITETIN E SHTETIT
Sot për botën perëndimore, shtetet janë të prirura të dështojnë kur nuk arrijnë të përmbushin qëllimin e tyre dhe kjo është e lidhur pashmangshmërisht me mosfunksionimin, dështimin dhe pafuqinë e institucioneve të tij për të zbatuar ligjin.
Fatkeqësisht, në kohën kur Republika e Kosovës ende nuk ka mbushur dy dekada të ekzistencës si shtet dhe që konsolidimi ndërkombëtar i saj ende nuk ka përfunduar, kryeministri i saj në detyrë, Albin Kurti, i ka dhënë goditje funksionalitetit të shtetit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vendosur të mos i përgjigjet ftesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për të dëshmuar për një rast korruptiv, për të cilin ai ka njohuri: skandalin me rezervat shtetërore, ku janë të përfshirë të emëruar të qeverisë së tij.
Refuzimi i kryeministrit në detyrë për të ndihmuar institucionet shtetërore në zbardhjen e rasteve korruptive është goditje që shteti i Kosovës po e merrë nga Qeveria e tij.
Për goditjen e mëtejshme të imazhit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, Kurti i ka dhënë një argument të fuqishëm kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës se Republika e Kosovës është një shtet ku kryeministri i saj nuk respekton hierarkinë institucionale, institucionet e drejtësisë dhe ku ligji nuk sundon.
Fotografia që kryeministri Kurti po krijon për Republikën e Kosovës në botën perëndimore demokratike është ajo e një shteti ku ligji nuk zbatohet as nga shefi i qeverisë së atij shteti dhe ku sundimi i ligjit ka marrë fund. /Demokracia.com/