Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, dhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi ka udhëtuar drejt Turqisë.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në kryeqytetin e Turqisë, në Ankara, kryeministri Kurti do të mirëpritet nga presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, si dhe do të takohet me Ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.
Qëndrimin në Turqi, Kurti do ta vijojë në Stamboll, ku do të marrë pjesë në forumin e parë ekonomik të bizneseve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë si mundësi për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar midis dy vendeve.
Kryeministri Kurti priti dje në takim Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, të cilit i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë dhe popullit të saj ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, veçanërisht për rolin e saj në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare e përkrahjen e palëkundur së fundmi për aderim në Këshillin e Evropës.