Kryeministri Kurti priti në takim grupin punues ndërshtetëror për rrugën Prizren-Tetovë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim në zyrën e tij në Prishtinë anëtarët e grupit punues ndërshtetëror për rrugën Prizren-Tetovë, transmeton KosovaPost.

Në takim të pranishëm ishin edhe zv/ministrja e Transportit e Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri dhe zv/ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës i Kosovës, Hysen Durmishi.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, ky grup është në kuadër të mekanizmit të përbashkët teknik të krijuar ndërmjet dy shteteve për realizimin e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore, respektivisht lidhjen rrugore Prizren-Tetovë.

“Takimi shënon hap konkret drejt zbatimit të këtij projekti strategjik, i cili ka qenë pjesë e diskutimeve të vazhdueshme ndërmjet dy vendeve. Në takim u dha njoftimi se brenda një periudhë të shkurtër, pala e Maqedonisë së Veriut do të sigurojnë detyrën projektuese për segmentin Tetovë-Prizren, një zhvillim ky kyç që i hap rrugë hartimit të projektit dhe përgatitjes së standardeve të ndërtimit”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu u njoftua se gjatë ditës grupi punues ka zhvilluar një takim pune ku kanë trajtuar në detaje pikat e detyrës projektuese, me qëllim që sa më shpejt të kalojnë në fazën e përcaktimit të kritereve teknike dhe më pas në hapjen e procedurës së tenderimit për projektimin.

“Ky ishte takimi i dytë zyrtar i grupit punues që nga themelimi i tij dhe përfaqësuesit e të dy qeverive po punojnë me përkushtim dhe intensitet të lartë për të çuar përpara të gjitha procedurat e nevojshme”, thuhet tutje në njoftim.

Kryeministri Kurti falënderoi anëtarët e grupit punues ndërshtetëror për bashkëpunimin dhe përkushtimin e tyre, si dhe konfirmoi mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës për projektin e rrugës Prizren-Tetovë./KosovaPost/

The post Kryeministri Kurti priti në takim grupin punues ndërshtetëror për rrugën Prizren-Tetovë appeared first on Kosovapost.net.