Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza edhe një herë ka përsëritur vendimin e kësaj partie për të mos bërë koalicion me partinë në pushtet. Ai thotë se më parë bëhet qeveria me opozitë, sesa me Lëvizjen Vetëvendosje.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka komentuar deklaratën e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, se nuk do t’i bashkohen asnjë qeverie pa postin e kryeministrit.
Hamza tha në “Rubikon” se PDK-ja është e gatshme për bashkëpunim me partitë opozitare, por sipas tij, “është e drejtë” dhe “logjike” që posti i kryeministrit t’i takojë partisë më numër më të madh të deputetëve.
“Ne do ta thërrasim edhe LDK-në, edhe AAK-në, edhe të gjitha partitë tjera që kanë qenë në opozitë për të krijuar qeverinë. Për deklaratën e Abdixhikut, e lexova që ka vend për negociata. Është mirë me u ulë në tavolinë. Situata është e qartë. Partia Demokratike e Kosovës i ka 24 deputetë dhe partitë tjera opozitare kanë më pak deputetë. Mendoj që kjo është edhe e drejtë,” tha Hamza.
Ai theksoi se në rast të dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar qeverinë, PDK-ja do ta marrë iniciativën për të krijuar kabinetin qeverisës.
“E drejtë është që Partia Demokratike e Kosovës, në rast se VV dështon në formimin e Qeverisë, ta marrë iniciativën për krijimin e qeverisë dhe ta udhëheq atë. Jam i gatshëm të diskutoj me të gjitha partitë me respekt maksimal. Për postin e kryeministrit, ajo dihet, është e qartë, i takon partisë që është më e madhe. Është logjike. Është e drejtë,” u shpreh Hamza.
Hamza fton publikisht partitë e opozitës: Që sonte jam i gatshëm të ulemi e të bisedojmë
Deklaratat e tij vijnë pasi kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës deklaroi gjatë një konference për media se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk bëhet pjesë e asnjë qeverie pa postin e kryeministrit.
“Qëndrimi ynë elektoral e paraelektroal ka qenë se LDK-ja nuk do të jetë pjesë e asnjë qeveria pa pozitën e kryeministrit. Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë tani.” – tha ai.
Nga ana tjetër, Hamza tha tha në Rubikon se opozita ka më shumë mundësi për të formuar qeverinë sesa Lëvizja Vetëvendosje.
Ai gjithashtu ishte i prerë se PDK nuk do të bashkëpunojë me LVV-në për formimin e qeverisë së re.
“Partia Demokratike e Kosovës e pret radhën. Po që se prodhohet situata dhe unë besoj që shumë më e mundshme edhe për shkak të programeve, edhe për shkak të numrave, është që opozita me kriju qeverinë se sa Lëvizja Vetëvendosje. Me Lëvizjen Vetëvendosje nuk ka.” – tha Hamza.
Hamza thotë se ka indikacione të qëllimshme nga VV për pengim të konstituimit të qeverisë