I vendosur për të çuar deri në fund daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimit Europian, Kryeministri Boris Johnson njoftoi pezullimin e parlamentit.
Duke shfrytëzuar hapësirat që i jep Kushtetuta britanike, kreu i qeverisë i kërkoi Mbretëreshës mbylljen e përkohshme të parlamentit, me argumentin se do të ndërmarrë një axhendë të gjerë reformash për vendin.
“Nuk do të presim deri më 31 Tetor për të vijuar pa ligje për të çuar përpara vendin. Kjo është një qeveri e re, me një axhendë vërtetë të pasur. Dhe për të bërë këtë kemi nevojë për legjislacion të ri, prandaj do të kemi një fjalim të Mbretëreshës më 14 Tetor”.
Pezullimi i kërkuar nga Johnson do të zgjasë nga 10 Shtatori deri më 14 Tetor, ditën që do të flasë Mbretëresha. Sipas Kushtetutës britanike, kjo lëvizje e Kryeministrit ndërpret automatikisht punën e parlamentit, deri në momentin e fjalës së monarkes, e cila do të bëjë publike planet e qeverisë për sezonin e ri parlamentar.
Strategjia e kreut të qeverisë ka ngjallur reagime të forta në vendin ishullor dhe është cilësuar si një hap për të penguar parlamentin të diskutojë Brexit-in. Kryetari i parlamentit John Bercow tha se veprimi i Johnson është nëpërkëmbje e Kushtetutës dhe dhunim i procesit demokratik.
Përmes anashkalimit të parlamentit, Kryeministri ka bërë jo pak armiq edhe brenda partisë së tij. Opozita britanike u ka bërë thirrje të gjitha grupeve parlamentare të bashkohen e të votojnë një mosbesimi ndaj qeverisë./Tv Klan