Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, ka hedhur poshtë idenë e krijimit të një ministri për burrat si përgjigje ndaj problemeve të ngritura në dramën e Netflix, “Adolescence”.
Në një intervistë për BBC Radio 5 Live, ai pranoi se është i shqetësuar për “krizën në maskulinitet”, të cilën e trajton seriali, por tha se nuk beson se një post i ri qeveritar është zgjidhja e duhur.
Drama përqendrohet në historinë e një djali 13-vjeçar të arrestuar për vrasjen e një vajze dhe prek rritjen e kulturës incel, shkruan news.sky.


Disa figura publike kanë sugjeruar krijimin e një ministri për burrat, të ngjashëm me ministren për Gratë dhe Barazitë, për të trajtuar çështje si ndikimi negativ i rrjeteve sociale dhe mungesa e modeleve pozitive për djemtë.
Por, Starmer tha se ishte më i bindur nga argumentet e ish-trajnerit të kombëtares angleze, Gareth Southgate, i cili theksoi rëndësinë e modeleve të shëndetshme për të rinjtë.


“Unë jam i shqetësuar për këtë. Kam një djalë 16-vjeçar dhe një vajzë 14-vjeçare”, tha kryeministri.
“Ka një arsye pse ky debat është kaq i ndezur – sepse shumë prindër dhe mësues e kuptojnë se kemi një problem me djemtë që duhet ta adresojmë”.
Starmer vlerësoi fjalimin e fundit të Southgate, i cili argumentoi se mungesa e udhëheqësve pozitivë i bën djemtë të prekshëm ndaj ndikuesve në internet që promovojnë ideologji të dëmshme.
“Kam qenë në kontakt me Gareth dhe e njoh mirë”, tha ai.
“Mendova se mesazhi i tij ishte i fuqishëm dhe do të ketë jehonë te shumë prindër. Nuk mund të bëjmë sikur ky problem nuk ekziston”.
I pyetur nëse një ministër për burrat do të ndihmonte, ai u përgjigj: “Jo, nuk mendoj se kjo është zgjidhja. Është më e rëndësishme të dëgjojmë mesazhin e Gareth Southgate dhe të veprojmë”.
Duke folur për modelet mashkullore, Starmer theksoi se përveç sportistëve dhe figurave publike, të rinjtë shpesh shohin për frymëzim brenda komunitetit të tyre.
“Nëse pyet një të ri, ai ka më shumë gjasa të përmendë një mësues, një trajner sporti ose dikë që është afër tij në komunitet,” tha ai. “Ne duhet të sigurohemi që këta njerëz të kenë mbështetjen e duhur për të ndikuar pozitivisht te brezi i ri”.
Mbretëria e Bashkuar nuk ka pasur kurrë një ministër për burrat, megjithëse disa deputetë konservatorë, si Nick Fletcher, kanë kërkuar një të tillë për të trajtuar probleme si shkalla e lartë e vetëvrasjeve te meshkujt.
Ndërkohë, posti i ministres për Gratë u krijua nga ish-kryeministri laburist Tony Blair për të siguruar që çështjet e grave të kishin prioritet në qeveri.