Kryeministër në detyrë, pushtet i kufizuar: Çfarë (s’)mund të bëjë Kurti?

Të enjten, më 27 mars, Qeveria Kurti kaloi zyrtarisht në statusin e qeverisë në detyrë. Ky pozicion, pas katër vitesh në pushtet, i kufizon kompetencat e kryeministrit dhe ministrave, duke filluar nga detyrat juridike e deri te emërimi i pozitave të larta.

Ndryshimi i Ligjit për Qeverinë në vitin 2022 përcakton se “Qeveria në dorëheqje kryen vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin Vjetor të Punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, me përjashtim të disa aktiviteteve”, thuhet në nenin 31 të këtij ligji.

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, në një bisedë për Albanian Post sqaron se çfarë e kufizon kryeministrin statusi “në detyrë”.

Ai thekson se të gjitha kompetencat e tij janë të kufizuara nga Kushtetuta.

“Sipas Kushtetutës, kryeministri është i kufizuar në dërgimin e ligjeve në Parlament apo propozimin e projektligjeve, nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe nuk ka të drejtë të shkarkojë ministra apo zyrtarë të lartë”.

“Këto janë arsyet që e bëjnë një kryeministër ‘në detyrë’, pasi ai është i obliguar me ligj të qëndrojë në zyrë derisa të emërohet kryeministri i ri. Nëse nuk qëndron, ai e shkel ligjin”, shpjegon Kryeziu për AP.

Ai nënvizon se qeveria aktuale mund të kryejë vetëm punë teknike.

“Qeveria nuk ka nevojë të japë dorëheqje, por kryen disa punë teknike, të cilat janë të përcaktuara në Ligjin për Qeverinë”.

Ndërkohë, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, në një deklaratë për Albanian Post, thotë se Qeveria Kurti, tashmë në detyrë, mund të kryejë vetëm aktivitete të pashmangshme.

“Sipas këtij ligji, qeveria në detyrë mund të kryejë vetëm aktivitetet që janë të domosdoshme ose të planifikuara në Planin Vjetor të Punës dhe në ligjin vjetor për buxhetin”, deklaron Jakaj për AP.

Megjithatë, ekzistojnë shumë aspekte ku vendimmarrja e qeverisë në detyrë është e kufizuar.

“Përjashtimisht, ajo nuk mund të lidhë marrëveshje ndërkombëtare, të propozojë amandamente kushtetuese, projektligje, strategji apo dokumente konceptuale. Gjithashtu, nuk mund të ligjësojë procedura të reja për emërime në pozita publike për të cilat ka kompetencë sipas ligjeve. Po ashtu, ajo nuk mund të bëjë propozime për pozita që kërkojnë emërim nga Kuvendi”, përfundon ai.

Çfarë thotë Ligji për Qeverinë?

Qeveria në dorëheqje kryen vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara me Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe me ligjin vjetor për buxhetin, me përjashtim të aktiviteteve në vijim: Nuk miraton nismën për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare për të cilat kërkohet ratifikimi nga Kuvendi.

Nuk miraton projekt amendamente kushtetuese, projektligje, strategji dhe koncept dokumente, nuk inicion procedura të reja për emërimin në pozitat publike, për emërimin e të cilave është kompetente në bazë të ligjeve përkatëse si dhe nuk bënë propozimin e kandidatëve për pozita për të cilat kërkohet emërimi nga Kuvendi.

Nuk bën propozime dhe nuk inicion emërime të zyrtarëve të lartë për të cilët kërkohet bashkëvendosje me Presidentin e Republikës.

Sipas Ligjit për Qeverinë, ekzekutivi të drejtë ka t’i propozojë Kuvendit miratimin e buxhetit të Kosovës, përjashtimit paragrafit 1 nën paragrafin 1.2 të këtij neni.

Ndërsa në rast të fatkeqësive natyrore, shëndetësore apo situatave të tjera emergjente të përcaktuara me ligje të veçanta, Qeveria në dorëheqje ka të drejtë të bëjë përjashtim nga paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 të këtij neni, kjo pasi që justifikohet me nevojën për menaxhimin e situatës së tillë si dhe kërkohet vendimmarrja e Qeverisë.

Qeveria në dorëheqje zhvillon të gjitha veprimet për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat ratifikohen nga Presidenti.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje është konfirmuar si partia e parë me 42.3 për qind të votave të fituara  apo 396 mijë e 387 vota. Kjo parti ka marrë 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95 për qind të votave apo 24 ulëse. Kjo parti ka siguruar 196 mijë e 474 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka marrë 18.27 për qind të votave apo 20 ulëse. LDK ka grumbulluar 171 mijë e 357 vota. Koalicioni AAK-Nisma ka dalë në vend të katërt me 7.06 për qind të votave apo tetë ulëse. AAK-NISMA kanë grumbulluar 66 mijë e 256.