Kryeinspektori i paligjshëm vazhdon betejën, i futet garës për drejtor në Inspektoratin Qendror të Punës

Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi, pavarësisht se me tri Gjykata është vërtetuar se mban pozitën jashtëligjshëm, ka vendosur ta vazhdojë betejën e tij që këtë pozitë të mos e lëshojë. Ai ka aplikuar për pozitën e drejtorit në Inspektoratin Qendror të Punës. 

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës Civil. Gjykata Themelore. Apeli. Gjykata Supreme. Një institucion i pavarur dhe tri shkallë të gjykatave në Kosovë, kanë konstatuar se kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi, e mban pozitën e tij jashtëligjshëm.

Megjithatë, tash, Nikçi ka nisur betejën e re që këtë pozitë, ta mbajë sipas ligjit. Edhe pse, ende jashtëligjshëm qëndron në krye të Inspektoratit të Punës.

Javë më parë ishte raportuar se Ministria e Financave ka shpallur konkurs për drejtor ekzekutiv në Inspektoratin Qendror të Punës.

Kjo pas miratimit të një rregulloreje për sistematizimin e vendeve të punës në Inspektoratin Qendror të Punës.

Nikçi është në mesin e kandidatëve që ka kaluar verifikimin paraprak që tash, të zgjedhet drejtor në Inspektoratin Qendror të Punës.

Pra, për më shumë se dy vjet gjykatat konstatuan se e ka mbajtur pozitën jashtëligjshëm, tash i njëjti synon që këtë pozitë ta sigurojë përmes ligjit.

Kjo konfirmohet nga dokumenti me emrat e kandidatëve e cila është publikuar nga Ministria e Financave.

Nacionale kishte raportuar para pak kohësh se Nikçi po refuzon ta lëshojë zyrën, pasi Këshilli Civil po komunikon me Agim Millakun, zv/kryeinspektorin e Punës.

Sipas një vendim të nënshkruar nga zv/kryeinspektori Agim Millaku, të siguriar nga nacionale, aty, kërkohet nga Hekuran Nikçi që ta dorëzojë vulën dhe të gjitha mjetet e punës. Kjo pasi Këshilli Mbikëqyrës Civil konstatoi pas vendimit të Gjykatës Supreme, se Nikçi nuk është Kryeinspektor.

“Obligohet z.Hekuran Nikçi – ishkryeinspektor i punës (Drejtor Ekzekutiv) në Inspektoratin Qendror të Punës që me datë 26.12.2024 të dorëzoi vulën zyrtare, dokumentacionin që posedon si dhe mjetet e punës në posedim që janë pasuri e IQP. Dorëzimi të bëhet në Departamentin e Administratës dhe Shërbime të Përgjithshme”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga zv/kryeinspektori, Agim Millaku.

Dokumenti përmban vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës Civil me të cilin u konstatua se emërimi i Nikçit ishte i paligjshëm, pasi ishte bërë pa procedura të konkursit. Aty përmenden vendimet e tri shkallëve të Gjykatave, Themelores, Apelit e Supremes, që konfirmuan vendimin e Këshillit, dhe konstatuan paligjshmërinë e emërimit të Nikçit.

Historia e vendimeve

Katër muaj më parë, ishte  publikuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, i cili kishte rrëzuar ankesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, me të cilën kontestonte vendimin Këshilli të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës(KPMShCK) për emërimin e Kryeinspektorit të Punës.

Në këtë mënyrë, kjo gjykatë kishte konfirmuar përfundimisht vendimin e KPMShCK-së se emërimi i Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës ka qenë i kundërligjshëm.

Në aktgjykimin e Apelit, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, refuzohet si e pa bazuar ankesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Aktgjykimi në fjalë tregon se mbetet në fuqi aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili e vlerësonte si të drejtë vendimin e KPMShCK-së.

“Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, A.nr.1892\2022, të datës 14.04.2023, është refuzuar si e pabazuar kërkesëpadia e paditësit Ministria e Financave, Punës dhe Transferve, kundër të paditurës Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me të cilën ka kërkuar të anulohet vendimi i të paditurës A.nr.50\2022”,është thënë në vendimin e Gjykatës se Apelit.

Dy muaj më parë ishte raportuar se edhe Gjykata Supreme konfirmoi vendimin fillestar.

Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfervem nuk ishte pajtuar asnjëherë me vendimin e KPMShCK-së, i cili kishte konstatuar se emërimi i Hekuran Nikçit nuk ishte bërë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Vendimin në fjalë, ministria e Hekuran Muratit e kishte sfiduar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Më 27 prill të vitit të kaluar, kjo gjykatë kishte vendosur që të hidhet poshtë si e pabazuar kërkesëpadi e Ministrisë së Financave, ku kërkohej të anulohet vendimi i Këshillit për pozitën e Kryeinspektorit të Punës.

“Refuzohet si e pabazuar kërkesëpadi e paditësi Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, kundër të paditurës Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me të cilën ka kërkuar të anulohet vendimi i të paditurës A.nr.50-2022”, ishte thënë në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Më 25 maj të vitit të kaluar, me propozim të Ministrisë së Financave, Qeveria e Kosovës, kishte emëruar Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.

Pas një Monitorimi të Jashtëzakonshëm në Ministrinë e Financave, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte konstatuar se emërim është bërë në kundërshtim më ligjin në fuqi për Zyrtarët Publik.

Sipas vendimit të Këshillit, për këtë pozitë nuk ishte shpallur fare konkurs publik, i cili kërkohet me Ligjin për Zyrtaret Publik.

Këshilli kishte konstatuar se pozita e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të shërbimit civil, dhe si e tillë i nënshtrohet regjimit juridik të Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Tani Qeverisë së Kosovës nuk i mbetet rrugë tjetër vetëm se të respektojë vendimet e katër nivele gjyqësore, të cilat kanë konstatuar se emërimin e Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.