Kryediplomatja shqiptare vizitë në RMV, për avancim të raporteve bilaterale/

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut më 22 dhe 23 dhjetor, me fokus forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe mbështetjen për integrimin evropian të vendit.

Gjatë qëndrimit në Shkup, Spiropali do të pritet nga Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, Kryeministri Hristijan Mickoski, Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, si dhe Ministri për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski. Ditën e hënë, në orën 11:30, Spiropali dhe Mucunski do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Sipas njoftimit, ministrja do të theksojë rëndësinë e avancimit të lidhjeve dypalëshe dhe rajonale, si dhe do të rikonfirmojë mbështetjen e fortë të Shqipërisë për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar zgjerimin e BE-së si instrument strategjik për paqe dhe stabilitet në Evropën Juglindore.

Në fokus të takimeve do të jetë edhe projekti i Korridorit VIII, i vlerësuar si projekt strategjik energjetik dhe i sigurisë. Spiropali do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të partive politike shqiptare, deputetë, përfaqësues të pushtetit lokal, si dhe do të vizitojë Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup. Vizita do të përmbyllet me një bashkëbisedim në Universitetin e Tetovës.