Ministrja e Jashtme e Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun Kosovë – Serbi dhe të ecin përpara me normalizimin e marrëdhënieve.
Në një postim në platformën X, ajo ka bërë të ditur se ka zhvilluar biseda me dy zyrtarë të lartë, Donika Gërvallën, ministre për Punët e Jashtme të Kosovës, dhe Marko Gjuriqin, ministrin e jashtëm serb.
Gjatë bisedës me Gërvallen, ajo ka theksuar mbështetjen e Austrisë për Kosovën dhe perspektivën e saj për në Bashkimin Evropian.
Ministrja austriake ka theksuar se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të ecin përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve, pasi kjo është çelësi për rrugën e tyre drejt BE-së.
Në bisedën e saj me Gjuriqin, ajo ka shprehur mbështetje për rrugën e Serbisë drejt BE-së dhe ka theksuar se Austria do të vazhdojë të mbështesë Serbinë në reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE.
Ajo ka theksuar gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe nxitjen e një dialogu të vërtetë për të kapërcyer ndarjet në shoqëri.