Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, gjatë vizitës në Beograd ka deklaruar se nuk ka ndonjë dallim midis qasjes së BE-së dhe SHBA-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Borell tha pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq se Shtetet e Bashkuara nuk mund t’i sigurojnë Kosovës ulëse në Kombet e Bashkuara.
“Edhe gjatë vizitës time në Kosovë më kanë pyetur se sa i diskutueshëm është qëndrimi i SHBA-së ndaj Kosovës. Nuk është aspak i diskutueshëm.
Uashingtoni është shumë i fuqishëm, por ai nuk mund t’i ofrojë Kosovës një karrige në Kombet e Bashkuara.
Atje ka edhe vende të tjera të botës dhe jo vetëm vende evropiane. Vendet si Kina, Rusia apo India pyeten për këtë çështje. Mendoj se të gjithë e dinë se pa miratimin e Këshillit të Sigurimit, Kosova nuk do të jetë vend i njohur nga bashkësia ndërkombëtare”, ka deklaruar Borell.