KRPP ndërhyn në tenderin 8 milionësh të Ministrisë së Pecit – rrëzon disa kritere ISO të vendosura në kundërshtim me ligjin

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, nën udhëheqjen e ministrit në detyrë Faton Peci, ka shpallur një tender rekord prej 8 milionë euro për ndërtimin e tri objekteve administrative: MBPZHR, AZHB dhe APK. Dy herë radhazi, ministria ka bërë ndryshim kriteresh, shkruan Demokracia.com

Projekti ka një kohëzgjatje të parashikuar prej 36 muajsh. Ky është një nga tenderët më të mëdhenj të kohëve të fundit në Kosovë dhe për këtë arsye kërkon vëmendje të veçantë mbi kriteret e kërkuara për pjesëmarrje nga operatorët ekonomikë (OE).

Ministria e Bujqësisë ka bërë tri ndryshime radhazi në tenderin prej mbi 8 milionë eurosh për ndërtimin e tri objekteve administrative (MBPZHR, AZHB dhe APK), duke futur dhe më pas hequr kritere teknike që, sipas operatorëve ekonomikë, janë të pajustifikuara, diskriminuese dhe pa lidhje me natyrën e kontratës.

Pikërisht pas reagimeve të kompanive pjesëmarrëse dhe kërkesave të shumta për sqarim, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik- KRPP ka ndërhyrë zyrtarisht, duke detyruar ministrinë të heqë një pjesë të madhe të kritereve për certifikata ISO – kryesisht ato që lidhen me stafin dhe standardizimet industriale të cilat nuk janë të aplikueshme në objektet administrative civile.

Fillimisht, tenderi është shpallur pa kërkesa specifike në ISO. Më pas, ministria ka shtuar kritere të reja, si:

ISO 9606-1 (certifikatë individuale për saldim industrial),

ISO 50001:2018 (auditim energjetik në ndërtesa),

Këto kritere nuk janë prekur

Por, kërkesa që të gjithë anëtarët e konsorciumit, edhe ata që nuk kryejnë punë teknike, të posedojnë të gjitha certifikatat, këto kritere u cilësuan nga KRPP si të papërshtatshme dhe të panevojshme për natyrën e tenderit,

Pas reagimeve, Ministria u detyrua të deklarojë zyrtarisht se “Duke u bazuar në rekomandimet e KRPP-së, certifikatat do të largohen dhe dosja e tenderit do të korrigjohet përmes formularit për përmirësim.”

Ky formulim tregon se vetë ministria e ka pranuar se kriteret nuk janë në përputhje me ligjin për prokurim publik dhe nuk mund të justifikoheshin teknikisht.

“Certifikata ISO 9606-1 është një certifikatë që i lëshohet individëve, por jo operatorëve ekonomikë (OE)”. Një operator ekonomik i është drejtuar ministrisë me pyetje përse është vendosur kjo certifikatë si kriter në tender, duke qenë se formulari standard me pyetje dhe sqarime është ngarkuar në E-prokurim për këtë procedurë.

Ministria i është përgjigjur se: “Duke u bazuar në rekomandimet e KRPP-së, certifikata ISO 9606-1 është larguar për individët dhe do të vendoset për operatorët ekonomikë – ISO 3834. Arsyeja e vendosjes së këtij kriteri është rezultat i pozicioneve në paramasë dhe projekt, të cilat do të realizohen përmes saldimit. Si autoritet kontraktues paraqesim se një nga këto kritere është i nevojshëm, andaj edhe me rekomandimin e KRPP-së është lënë ISO 3834. Kjo çështje do të përmirësohet përmes formularit B54 – Përmirësimi i gabimit / Korrigjimi.”

Kompanitë kanë kërkuar edhe sqarime të tjera për kriteret e vendosura në tender, për të cilat ministria gjithashtu ka dhënë përgjigje.

Çfarë tregon ndërhyrja e KRPP-së?

Kriteret ISO të futura nga ministria nuk kanë qenë të domosdoshme për lëndën e kontratës.

Kërkesat janë futur në mënyrë selektive dhe të paargumentuar.

Ndryshimet e përsëritura kanë krijuar pasiguri të qëllimshme në treg dhe kanë cenuar parimin e konkurrencës së lirë.

Operatorët ekonomikë paten ngritur shqetësimin se këto praktika mund të krijojnë “avantazh të pabarabartë”, duke lënë jashtë tregut kompani të kualifikuara që nuk posedojnë ISO të panevojshme, por që kanë kapacitet teknik real për ndërtimin e objekteve administrative.

Ky tender konsiderohet një ritender, pasi Ministria e Bujqësisë, nën udhëheqjen e ministrit në detyrë Faton Peci, kishte tentuar vitin e kaluar të realizonte ndërtimin e të njëjtave tri objekte përmes një tenderi të hapur. Ai tender, me fond fillestar pak mbi s 800,000 euro, u anulua në ditën e fundit të vitit, më 31 dhjetor, me arsyetimin se Qeveria kishte tërhequr fondet e parashikuara. Megjithatë, vetë ministria vazhdoi të përgatitë procesin për ndërtimin e tri objekteve, duke e shpallur këtë vit një tender të ri me vlerë shumë herë më të lartë, 8 milionë euro, duke ngritur pyetje mbi ndryshimin e buxhetit dhe kriteret e pjesëmarrjes. /Demokracia.com/

Në tenderin 8 milionësh, Ministria e Bujqësisë shton kritere- kërkesat për certifikata ISO bien ndesh me interpretimin e KRPP-së