Shkruan: Burim Gjaka
Kosova po përballet me një situatë të pazakontë institucionale, ku procesi i krijimit të institucioneve të reja po zvarritet përtej afateve dhe praktikave që zakonisht karakterizojnë funksionimin e një demokracie parlamentare. Në vend që vendi të hynte në fazën e konsolidimit institucional pas zgjedhjeve, ai vazhdon të mbetet në një ngërç politik që shtron një pyetje themelore: a kemi të bëjmë me një krizë të mirëfilltë institucionale apo me një strategji të kalkuluar politike?
Sjellja e Lëvizjes Vetëvendosje krijon përshtypjen se vonesat nuk janë thjesht pasojë e mungesës së votave për konstituimin e institucioneve. Përkundrazi, gjithnjë e më shumë duket se kjo situatë po menaxhohet politikisht, duke i shërbyer një logjike që tejkalon vështirësitë procedurale. Një nga arsyet që përmendet në debatin publik është se Vetëvendosje mund të synojë të shtyjë përballjen me kostot politike që mund të sjellë zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë, veçanërisht atyre që lidhen me të drejtat dhe kompetencat e komunitetit serb. Kalimi nga retorika opozitare në zbatim konkret do ta vendoste partinë përballë pritjeve dhe pakënaqësive të një pjese të elektoratit të saj, i cili për vite me radhë është mobilizuar pikërisht mbi kundërshtimin e këtyre proceseve.
Në të njëjtën kohë, funksionimi i institucioneve në detyrë mund të krijojë një komoditet të caktuar politik për pushtetin. Ekzekutivi vazhdon të ushtrojë një pjesë të konsiderueshme të kompetencave, administrata shtetërore vazhdon punën, ndërsa mungesa e institucioneve të reja dobëson kontrollin parlamentar dhe zvogëlon intensitetin e debatit politik. Në një klimë të tillë, përgjegjësia politike shpërndahet dhe mekanizmat e llogaridhënies bëhen më pak efektivë.
Megjithatë, një strategji e tillë nuk mund të funksionojë pa ndërtimin e një narrative bindëse për opinionin publik. Nëse vendi do të shkonte drejt zgjedhjeve të reja, pushteti do të kishte interes që përgjegjësinë për bllokadën t’ia atribuonte opozitës, duke pretenduar se krijimi i institucioneve u pengua nga mungesa e bashkëpunimit të saj.
Në këtë kontekst, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) rrezikon të bjerë në një kurth politik. Duke u përfshirë në negociata të pafundme dhe duke u bërë pjesë e debatit procedural, ajo mund të perceptohet nga opinioni publik si një faktor që kontribuon në zvarritjen e procesit, pavarësisht rolit real që ka pasur. Përvoja politike në Kosovë ka treguar vazhdimisht se perceptimi publik shpesh ndikon më shumë sesa vetë faktet procedurale.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) gjendet përballë një mundësie strategjike që mund të rezultojë vendimtare. Në vend që të vazhdojë të jetë pjesë e debatit mbi alibitë politike, ajo mund të ndërmarrë një hap që do ta ndryshonte tërësisht dinamikën e krizës.
PDK mund të deklarojë publikisht se është e gatshme të sigurojë praninë në seancat e Kuvendit për të garantuar kuorumin e nevojshëm për procedurat kushtetuese, edhe për një presdent që propozn VV, pa marrë asnjë pozitë në institucione, duke ia hequr shumicës çdo justifikim procedural. Mesazhi do të ishte i qartë: “Ne nuk do të jemi arsyeja e moskrijimit të institucioneve. Prej këtij momenti, përgjegjësia bie plotësisht mbi shumicën parlamentare.”
Një qasje e tillë do ta vendoste Lëvizjen Vetëvendosje përballë një zgjedhjeje të qartë. Nëse synimi i saj është krijimi i institucioneve, atëherë nuk do të ekzistonte më asnjë pengesë procedurale për ta realizuar këtë. Nëse, përkundrazi, zvarritja do të vazhdonte, atëherë do të bëhej më e dukshme se problemi nuk qëndron te opozita, por te mungesa e vullnetit politik të shumicës për ta përmbyllur procesin.
Një strategji e tillë do të prodhonte disa efekte të rëndësishme politike.
Së pari, do të eliminonte përfundimisht pretendimin se opozita është përgjegjëse për bllokimin e institucioneve. Për herë të parë, barra e përgjegjësisë politike do të vendosej qartë mbi forcën që ka dalë e para në zgjedhje dhe që pretendon të formojë institucionet. Kjo do ta zhvendoste debatin nga procedurat te përgjegjësia konkrete për qeverisjen.
Së dyti, opozita do të çlirohej nga akuzat për bllokadë dhe do të mund t’i rikthehej funksionit të saj kushtetues: mbikëqyrjes së ekzekutivit dhe ndërtimit të një alternative politike. Vetëm në kushte të funksionimit normal institucional, kritika ndaj qeverisë mund të fokusohet te rezultatet, politikat dhe performanca e saj.
Së treti, vetë PDK-ja do të fitonte qartësi strategjike. Partia ka nevojë të përcaktojë drejtimin e saj për katër vitet e ardhshme, të konsolidojë lidershipin dhe të ndërtojë një alternativë bindëse qeverisëse. Vazhdimi i debatit pothuajse ekskluzivisht rreth procedurave parlamentare nuk i shërben këtij objektivi.
Përkundrazi, një pozicion i qartë institucional do ta paraqiste si një forcë politike që vendos interesin shtetëror mbi interesin partiak.
Në demokracitë parlamentare, opozita nuk fiton kapital politik duke zgjatur krizat institucionale. Ajo fiton kur ua heq pushteteve çdo justifikim, i detyron të marrin përgjegjësi dhe më pas i gjykon mbi rezultatet e qeverisjes së tyre. Pikërisht kjo duket të jetë sfida kryesore me të cilën përballet sot opozita në Kosovë.
Në fund, pyetja nuk është më nëse opozita do ta lejojë krijimin e institucioneve. Pyetja thelbësore është nëse Lëvizja Vetëvendosje dëshiron realisht t’i krijojë ato. Nëse opozita arrin t’ia heqë shumicës çdo alibi procedurale dhe politike, atëherë qytetarët do ta kenë shumë më të lehtë të gjykojnë se kush po e zgjat krizën institucionale dhe për çfarë arsye.
Sepse në politikë, ashtu si në demokraci, qartësia është shpesh forma më e fuqishme e llogaridhënies.








