Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se se kriza politike ka hyrë në një rrugë pa dalje dhe pritet të marrë fund vetëm me zgjedhje të reja.
Haziri tha se partia e tij ia ka treguar disa opsione Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit për tejkalim të ngërçit, ndërsa e akuzoi atë se po tenton që të blejë deputetë për mazhorancën, duke e konsideruar këtë fenomen “një prostitucion politik”.
Haziri shtoi se nuk beson që Gjykata Kushtetuese mund të zgjidhë çështjet politike.
Sa i përket propozimit për një qeveri me bazë të gjerë, konfirmoi se është diskutuar në presidencë dhe se atë e mbështesin të gjitha partitë, përveç Vetevendosjes.
“Është e vërtetuar pasi të gjithë deputetët janë deklaruar për të ndryshuar qëndrim politik, për të ndryshuar votë. Kjo nuk është një metodë që LDK e praktikon, për ne është e papranueshme. Përkundër që të tjerët e trajtojnë si legjitime. Deputetët e LDK janë unik dhe qëndrimi është i zbardhur dhe i ndërtuar në një debat të brendshëm. Ai ndryshon me debat të brendshëm, por jo me trafikim politik, apo prostitucion politik”, tha mes të tjerash Lutfi Haziri për A2 CNN.