Rritja e çmimit të energjisë elektrike 16. 1 për qind nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) do t’i dëmtojë bizneset, me theks të veçantë prodhuesit vendorë, thotë Skënder Krasniqi, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK), raporton KosovaPress. Krasniqi nënvizon se ky vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike do të çojë në rritjen e çmimeve të produkteve.
Në një intervistë për KosovaPress, Krasniqi thekson se ZRRE nuk e ka marrë parasysh kërkesën e DhTIK për ndarjen e tarifave për prodhuesit vendorë, siç ndodh në vendet e tjera. Ndërsa, ai përmendi mundësinë që DhTIK dhe bizneset të ndërmarrin hapa ligjorë për të paditur ZRrE-në, duke kërkuar që Kuvendi të marrë masa kundër vendimit të bordit të ZRrE-së, i cili, sipas tij, ka sjellë efekte negative për bizneset dhe qytetarët.
Ai foli edhe për bllokadën që është krijuar nga moskonstituimi i Kuvendit. Sipas tij, moskonstituimi i Kuvendit ka një impakt negativ në zhvillimin ekonomik.
“Çdo vonesë në krijimin e institucioneve ndikon negativisht edhe tek bizneset vendore dhe të huaja, sepse jep një pasiguri. Shpresojmë se Kuvendi shumë shpejt do të krijojë qeverinë, do të mblidhet në Parlament dhe të kemi mundësi të komunikojmë dhe të kemi një bashkëpunim më të mirë… Realisht kemi një qeveri në dorëheqje, me të cilën mund të komunikojmë, por fatkeqësia ka qenë se edhe kur ka qenë qeveria në mandatin e plotë, nuk kemi pasur mundësi të kemi komunikim të zakonshëm dhe të mirë me shumicën e ministrive, sidomos me kryeministrin, sepse të gjitha i ka deleguar dhe si DhTIK nuk kemi mundur të aranzhojmë për katër vite një takim për t’i treguar shqetësimet. Kështu po shpresojmë që me Parlamentin e ri dhe Qeverinë e re ky komunikim të rritet dhe të kemi mundësi të adresojmë sfidat që kanë bizneset, por edhe mundësitë që kanë bizneset për të rritur bashkëpunimin dhe punësimin, si dhe mirëqenien e qytetarëve”, thotë Krasniqi.
Në anën tjetër, ai thotë se vendimi për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike do të shkaktojë dëm tek bizneset dhe qytetarët. Ndërsa, ai thekson se ZRRE-ja ka injoruar kërkesat e këtyre të fundit për të mos marrë këtë vendim.
Ai gjithashtu tha se po shqyrtojnë mundësitë që si biznese të padisin ZRrE-në dhe po ashtu të kërkojnë nga Kuvendi që, pas konstituimit të tij, të merren masa ndaj ZRrE-së.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë më 11 prill bëri të ditur se rritja e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve bazuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale është 16.1 për qind, raporton KosovaPress. Qytetarët e Kosovës nga muaji maj do të paguajnë 16. 1 për qind më shtrenjtë për energjinë elektrike. Kështu kishte thënë kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.
Shtrenjtimi i energjisë elektrike, ka shkaktuar reagime të shumta nga bizneset, subjektet politike dhe qytetarët, madje kishte edhe disa protesta në Prishtinë./Kosovapress/