Kriza energjetike | Inxhinierja Ymeri: Shkaku i importit të rrymës, Qeveria Kurti e ka grryer ekonominë e vendit

Kosova po vazhdon të përballet me një krizë të madhe në sektorin e energjisë. Gjatë kësaj jave u raportua për rënie të blloqeve, ndërsa KOSTT njoftoi se do të ketë reduktime të energjisë elektrike për dy ditë radhazi. Reduktimet me rrymë u shënuan në shumë zona për orë të tëra, duke shkaktuar pasoja edhe për bizneset.

Lidhur me këtë situatë, inxhinierja Janina Ymeri, ka thënë se kur bien blloqet, lind nevoja për import të madh të energjisë elektrike. Sipas saj, në rastet kur importi nuk është i mundur, atëherë duhet të fillohet me reduktime.

“Rënie e blloqeve ka për pasojë importin në sasi enorme edhe kur kjo nuk është e mundur nga ana financiare ose edhe teknike atëherë nisin reduktimet.

Zgjidhja e kësaj situate është planifikimi vjetor i importeve me sasi, çmim, kohë edhe vend”, tha Ymeri për Periskopin.

Ymeri ka fajësuar Qeverinë Kurti, e cila, sipas saj, nuk ka investuar në sektorin e energjisë, duke shtuar se si pasojë e keqmenaxhimit është dëmtuar edhe ekonomia e vendit.

“Me 259 Milionë Euro Import për vit tregon se ekonomia e Kosovës shkaku i sektorit energjetik është grryer nga qeveria edhe institucionet relevante publike.
Kjo shumë tregon se jo vetëm që nuk është punuar për energji, për qytetarët e Kosovës, por edhe dëmet do jenë afatgjata në ekonomi me rritje të çmimeve edhe rritje të shërbimeve. Kjo sjell inflacion edhe emigrim që duket tanimë se ka qenë edhe qëllimi përfundimtar i VV- së. Me fjalë të tjera, puna e këtij pushteti ka rezultatet e dëshiruara për ta: Emigrimin, dobësimi ekonomik i popullatës e zvogëlimi i rezistencës”, tha Ymeri.

Ndërsa ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, ka deklaruar se mungesa e energjisë elektrike në Kosovë nuk është problem i përkohshëm, por rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës së investimeve strategjike dhe i reformave të parealizuara në sektorin energjetik.

Ai në një postim në Facebook, ka theksuar se termocentralet Kosova A dhe Kosova B janë të vjetruara dhe nuk po arrijnë të përmbushin kërkesën në rritje, duke detyruar vendin të importojë energji me çmime të larta në tregjet ndërkombëtare.

“Përdorimi intensiv i termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, të cilat tashmë janë kapacitete të vjetruara dhe me efikasitet të ulët, nuk po arrin të mbulojë kërkesat në rritje të konsumatorëve. Për pasojë, vendi detyrohet të importojë energji në periudha kur çmimet në tregjet ndërkombëtare janë jashtëzakonisht të larta, duke krijuar barrë të rëndë për buxhetin e shtetit dhe për ekonominë familjare.
Në këtë situatë, Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të veprojë me urgjencë dhe me përgjegjësi strategjike.
Së pari, është e domosdoshme që të realizohen rehabilitimet e plota dhe të shpejta të blloqeve të Kosovës A dhe Kosovës B, duke garantuar stabilitet teknik, siguri operacionale dhe rritje të prodhimit vendor”, shkroi ai mes tjerash.