Shkruan: Burim Gjaka
Arsimi parauniversitar në Kosovë po përjeton një krizë të thellë strukturore, e cila manifestohet në një paradoks të mprehtë: në një epokë kur sistemet arsimore globale orientohen drejt thjeshtësimit, digjitalizimit dhe zhvillimit të kompetencave, nxënësit tanë vazhdojnë të mbingarkohen me sasi të pamenaxhueshme informacioni, në dëm të cilësisë së të nxënit. Shkolla, në vend që të jetë hapësirë emancipimi intelektual dhe zhvillimi kritik, është shndërruar në një mekanizëm lodhjeje fizike dhe konsumimi mendor. Ky devijim nis që në fillimet e edukimit, ku pesha e çantës bëhet metaforë e një sistemi të çorientuar. Siç thoshte Albert Einstein: “E vetmja gjë që pengon mësimin tim është arsimi im”.
Pamja e një fëmije 6-vjeçar të kërrusur nën barrën e një çante që shpesh tejkalon 20% të peshës trupore nuk është thjesht shqetësim estetik, por tregues i një dështimi të institucionalizuar. Standardet ndërkombëtare, përfshirë rekomandimet e OBSH-së, kufizojnë këtë peshë në maksimum 10%; megjithatë, praktika jonë arsimore vazhdon ta injorojë këtë normë bazike. Sipas statistikave shëndetësore, mbi 35% e nxënësve në ciklin fillor në Kosovë shfaqin shenja të hershme të deformimeve të shtyllës kurrizore. Në vend të digjitalizimit dhe racionalizimit të përmbajtjes, sistemi vazhdon të riprodhojë modele arkaike, duke rënduar jo vetëm trupin, por edhe zhvillimin psikologjik të fëmijës.
Mbingarkesa nuk kufizohet vetëm në dimensionin fizik. Ajo shfaqet edhe në nivel kognitiv, ku problemet nisin që në nivelin parafillor: fëmijët përballen me mësimin e gjuhës angleze ende pa përvetësuar gjuhën amtare, shqipen. Kjo qasje pedagogjike joefektive nuk prodhon shumëgjuhësi funksionale, por konfuzion dhe lodhje mendore që në moshë të hershme. Në ciklin e mesëm të ulët, një nxënës përballet me rreth 15 lëndë, përfshirë dy gjuhë të huaja, duke u ekspozuar ndaj një fragmentarizimi të theksuar të vëmendjes. Rezultatet e Testit PISA, ku Kosova mbetet në fund të renditjes, dëshmojnë se kjo qasje nuk prodhon cilësi, por mediokritet.
Në përpjekje për të mësuar “gjithçka”, nxënësi përfundon duke mos përvetësuar asgjë në mënyrë të qëndrueshme. Qasja standardizuese anulon dallimet individuale dhe injoron zhvillimin e diferencuar. Kjo përkeqësohet nga mungesa e infrastrukturës adekuate: shkollat vazhdojnë të operojnë pa laboratorë funksionalë, pa kabinete të pajisura dhe pa mjete elementare didaktike. Mësimi reduktohet në riprodhim teorik të shkëputur nga praktika, duke e bërë çdo pretendim për mendim kritik apo kreativitet të pabazuar. Një tregues tjetër i degraduar i sistemit është se shumica e mësimdhënësve nuk i dërgojnë fëmijët e tyre në këtë profesion, për shkak të kushteve të vështira dhe degradimit të arsimit. Ky fakt tregon qartë gjendjen reale të sistemit arsimor.
Sistemi i arsimit në Kosovë nuk ofron inovacion, por vetëm rutinë, e cila ka detyruar nxënësin të bëhet i pamenaxhueshëm dhe të humbasë motivimin për të mësuar. Kjo mungesë inovacioni dhe përsëritja e modeleve arkaike krijon një kulturë ku mosdisiplina bëhet pasojë e natyrshme. Një pjesë e madhe e përgjegjësisë bie mbi prindërit, të cilët shpesh tolerojnë sjellje problematike, nuk mbikëqyrin progresin e fëmijës dhe justifikojnë mangësitë në angazhimin e tij. Për t’i adresuar këto probleme, nevojiten mekanizma ligjorë, sidomos për nxënësit e nivelit dy, që përqendrojnë përgjegjësinë mbi prindërit dhe i bëjnë ata të detyruar dhe të ndëshkueshëm në rast të shmangies nga monitorimi i sjelljes dhe edukimit të fëmijës. Vetëm kështu mund të krijohet një kulturë reale disipline dhe bashkëpunimi mes shkollës dhe familjes.
Këto mekanizma kërkojnë drejtim të fortë dhe profesional. Shkollat nuk mund dhe nuk guxojnë të drejtohen nga individë të përzgjedhur për shkak të “dëgjueshmërisë” ndaj politikës. Drejtorët duhet të jenë profesionistë me integritet, kompetencë dhe pavarësi, të aftë të mbrojnë interesin e shkollës edhe kur kjo bie ndesh me presione politike. Pavarësia e tyre nga ndikimi politik dhe grupet e interesit është thelbësore, sepse kur drejtuesit varen nga politika dhe grupet e interesit, vendimet shpesh përqendrohen në interesa partiake ose personale dhe jo në nevojat reale të nxënësve dhe mësuesve. Ky parim duhet të mbrohet me forcën e Nenit 12 të Ligjit për Arsimin Parauniversitar, duke siguruar që shkolla të mbetet një institucion profesional dhe jo një zgjatim i pushtetit. Një drejtor kompetent dhe i pavarur ka aftësinë të krijojë një mjedis shkollor ku disiplina, rregulli dhe përkushtimi ndaj arsimit janë norma, jo përjashtime.
Një pikë tjetër e dobët e këtij sistemi është edhe pabarazia e cila shfaqet në mënyrën si shteti trajton sektorin publik dhe privat. Përveç dimensionit ekonomik, kjo pabarazi ushqehet edhe nga vetë qasja e shtetit ndaj sektorëve: shkollat publike përballen me kontrolle të rrepta, kërkesa strikte për respektimin e normativit dhe penalizime për mungesa kadrovike, ndërsa sektori privat ka fleksibilitet më të madh, ku shpesh tolerohen devijime që në publik nuk do të lejoheshin. P.sh në sektorin privat ndonjëherë ndodhë që lëndët të mbahen edhe nga mësimdhënës të cilët nuk janë të specializuar për lëndën që mbajnë, kurse në publik kjo gjë nuk lejohet dhe për pasojë shkollat mbesin me muaj pa mësimdhënës, sidomos në lëndët deficitare. Arsimi privat po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një privilegj për shtresat e pasura, ku cilësia lidhet drejtpërdrejt me mundësinë financiare. Në praktikë, nxënësit e familjeve të pasura përfundojnë shkollimin në kushte më të favorshme dhe punësohen më shpejt në pozita të mira, ndërsa ata nga familjet më të varfra mbeten peng i një sistemi publik të dobësuar. Kjo situatë theksohet edhe nga mungesa e kuadrove në lëndë deficitare si kimia, fizika, matematika, TIK dhe gjuha gjermane, dhe nevoja për programe rikualifikimi brenda fushave përkatëse.
Në sektorin publik, shkollat përballen me kontrolle të rrepta, respektimin strikt të normativit për kuadrot mësimore dhe penalizime për mungesa kadrovike, duke i lënë shpesh institucionet pa mësimdhënës për lëndë kyçe. Në sektorin privat, kjo çështje trajtohet me fleksibilitet: lëndët kryhen ndonjëherë edhe nga mësimdhënës që nuk janë të specializuar për fushat e tyre, e që në publik nuk do të lejoheshin. Kjo përdorim i dyfishtë i standardeve thellon pabarazinë dhe favorizon ata që kanë mundësi financiare për arsimin privat, duke theksuar rëndësinë e një sistemi ligjor dhe profesional që vendos standarde uniforme për të gjithë nxënësit.
Një dimension tjetër kritik është pabarazia ndërmjet zonave urbane dhe rurale. Shkollat në fshatra përballen me mungesë investimesh, staf të kufizuar dhe trajtim të pabarabartë institucional. Pa një strategji shtetërore për menaxhimin e migrimit nga fshati në qytet, shumë shkolla rrezikojnë mbylljen. Kjo jo vetëm kufizon qasjen në arsim, por përshpejton zbrazjen e zonave rurale dhe thellon pabarazitë sociale. Secili fëmijë, qoftë edhe vetëm një, duhet të gëzojë të njëjtat të drejta dhe kushte arsimore, pavarësisht vendndodhjes së tij.
Përballë kësaj situate, kërkohet një reformë e thellë dhe konkrete, e cila duhet të përfshijë:
• digjitalizimin real të materialeve mësimore dhe uljen e barrës fizike mbi nxënësin, duke ofruar poashtu akses prindërve në ditarë elektronikë për ndjekjen e progresit të fëmijës;
• rishikimin e kurrikulës, me reduktim të lëndëve dhe fokus në cilësi;
• vendosjen e mekanizmave ligjorë që obligojnë prindërit për përgjegjësi në disiplinë dhe edukim, duke bërë përgjegjësinë e tyre të ndëshkueshme;
• depolitizimin e plotë të menaxhimit shkollor dhe përzgjedhjen e drejtorëve mbi baza profesionale;
• investime të barabarta në shkollat urbane dhe rurale, dhe strategji për ndalimin e mbylljes së shkollave në fshatra;
• politika që parandalojnë shndërrimin e arsimit në privilegj ekonomik dhe garantojnë barazi reale;
• përmirësimin e statusit profesional dhe ekonomik të mësuesve;
• programet e rikualifikimit të mësimdhënësve për të adresuar mungesën e kuadrove dhe për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies.
Arsimi nuk është shpenzim, por investimi më kritik për të ardhmen e një shoqërie. Nëse sistemi vazhdon të funksionojë mbi logjikën e mbingarkesës, pabarazisë dhe ndikimit politik, pasojat do të jenë të thella dhe afatgjata. Është momenti për ndërhyrje të vendosur, ku shkolla publike rikthehet në themel të zhvillimit shoqëror, drejtimi profesional zëvendëson servilizmin dhe nxënësi vendoset në qendër të sistemit.









