Kriza e meritokracisë dhe degradimi institucional në Kosovë

Shkruan: Burim Gjaka

Kur emërimet jomeritore shndërrohen në politikë shtetërore

“Të dështosh në planifikim do të thotë të planifikosh dështimin.” – Benjamin Franklin

Kjo maksimë e Benjamin Franklin-it përmbledh në mënyrë të përkryer gjendjen e një pjese të konsiderueshme të institucioneve publike në Kosovë. Në vitet e fundit, institucionet shtetërore po karakterizohen nga një model emërimesh që shpesh anashkalon kriteret profesionale dhe përvojën menaxheriale, duke i zëvendësuar ato me besnikëri politike, afërsi partiake apo konformizëm personal.

Në këtë kontekst, drejtimi institucional po i besohet individëve që nuk zotërojnë kapacitetin analitik, vizionin strategjik dhe përgatitjen metodologjike të domosdoshme për menaxhimin e strukturave publike. Pozita drejtuese nuk konceptohet si barrë përgjegjësie ndaj mandatit publik, por si privilegj i përkohshëm politik, duke e zhvendosur fokusin nga performanca institucionale te mbijetesa personale në hierarki.

Manifestimet e dështimit menaxherial

Kur drejtimi institucional reduktohet në ushtrim formal autoriteti dhe jo në funksion menaxherial të bazuar në dije, përvojë dhe vizion, mungesa e kompetencës nuk mbetet çështje individuale, por shndërrohet në problem strukturor. Në këtë rrethanë, dështimi i lidershipit reflektohet drejtpërdrejt në mënyrën se si institucioni planifikon, vendos dhe funksionon në praktikë. Këto mangësi materializohen përmes një sërë treguesish të përsëritur, të cilët dëshmojnë operim institucional pa orientim strategjik dhe pa mekanizma efektivë drejtimi dhe kjo vërehet më së miri përmes treguesve më poshtë:

• Deficit i planifikimit strategjik – ndodhë mungesë e dokumenteve funksionale që përcaktojnë objektiva të matshme, prioritete të qarta dhe indikatorë performance për periudha afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata.

• Ad-hoc-izëm vendimmarrës – kemi mbizotërim i reagimit të vonuar ndaj problemeve, ku krizat trajtohen si përjashtim dhe jo si pasojë e parashikueshme e mungesës së planifikimit.

• Formalizëm organizativ – mbahen mbledhje formale pa rend dite, pa vendime të operacionalizueshme dhe pa mekanizma ndjekës të zbatimit.

• Degradim i kapitalit njerëzor –shpeshë ndodhin ndërhyrje arbitrare në strukturat e personelit, të shkëputura nga vlerësimi i performancës dhe nevojat reale të institucionit, që prodhojnë demotivim dhe ikje të profesionistëve.

• Rezistencë ndaj llogaridhënies – kemi shmangie sistematike e matjes së rezultateve dhe preferencë për raportim narrativ që relativizon dështimin.

Pasojat sistemike të emërimeve jomeritore

Efektet e këtij modeli drejtimi shkojnë përtej individëve dhe prekin drejtpërdrejt funksionalitetin e shtetit. Së pari, prodhohet erozion i besimit publik. Kur përparimi profesional zëvendësohet nga besnikëria politike apo edhe personale, institucioni humb legjitimitetin për të tërhequr ekspertizë të pavarur dhe shndërrohet në strukturë të mbyllur, të vetë-referuar.

Së dyti, cenohet efikasiteti i përdorimit të burimeve publike. Pa vizion afatgjatë dhe pa hierarki të qarta prioritetesh, investimet fragmentohen, projektet mbeten të papërfunduara dhe politikat publike humbin koherencën. Inovacioni institucional mbetet i kufizuar, sepse drejtimi i dobët e percepton dijen si kërcënim dhe jo si aset. Siç paralajmëronte Johann Wolfgang von Goethe: “Nuk ka asgjë më të rrezikshme se injoranca në veprim.”

Reflektimi kritik dhe përgjegjegjësia politike

Në modelet bashkëkohore të qeverisjes, suksesi institucional ndërtohet mbi reflektim kritik, matje të performancës dhe përmirësim të vazhdueshëm. Një drejtues që nuk realizon vlerësime periodike të progresit e shndërron mandatin e tij në cikël të mbyllur stagnimi. Reflektimi nuk është procedurë teknike, por akt përgjegjësie ndaj mandatit publik dhe interesit qytetar.

Megjithatë, stabiliteti i këtyre drejtuesve mbetet thelbësisht i brishtë. Duke u mbështetur kryesisht në vullnetin politik të emëruesit dhe jo në rezultate të matshme, ata mbeten të ekspozuar ndaj çdo rikonfigurimi të pushtetit. Praktika politike në Kosovë ka dëshmuar se drejtuesit pa trashëgimi performance shndërrohen lehtësisht në kurbane politike, të shkarkuar ose të detyruar të largohen sapo prania e tyre fillon të perceptohet si barrë institucionale apo kosto politike.

Në mungesë të rezultateve konkrete dhe integritetit profesional, përfundimi i mandateve të tilla shënon një dështim të dyfishtë: personal për individin dhe strukturor për institucionin që ai ka drejtuar. Pa meritokraci, pa llogaridhënie dhe pa vizion strategjik, çdo reformë mbetet deklarative, ndërsa institucionet mbeten të cenueshme ndaj cikleve të përsëritura të mediokritetit.

Në këtë kuptim, rikthimi i meritës si kriter themelor në ndërtimin e lidershipit institucional nuk është luks normativ, por kusht minimal për funksionimin e shtetit. Sepse aty ku posti fitohet pa aftësi, dështimi nuk është përjashtim, por është rregull.