Marrëdhënia mes Massimiliano Allegrit dhe Dusan Vlahovic nisi me këto fjali: “Vlahovic është inteligjent dhe i zgjuar. Bashkë me Haaland dhe Mbappé është ndër qendërsulmuesit më të fortë në botë”. Një deklaratë e rëndë (në fund të fundit, DV9 te Fiorentina dukej gati për të lënë gjurmë në 10 vitet e ardhshme të futbollit italian) e trajnerit livornez, kur u kthye në stolin e “Zonjës së Vjetër”.
Që aty, gjithçka ka qenë përshpejtim dhe frenim, fjalë të bukura dhe thumbime, ndonjëherë edhe të thëna përmes të tretëve. Në përgjithësi, sigurisht jo marrëdhënia e shekullit; jo si Messi me Guardiolën apo CR7 me Zidane. Megjithatë, pas një viti ndarje, Allegri dhe Vlahovic mund të ribashkohen. Kësisoji lind dëshira për të parë prapa dhe pyetur: Çfarë ndodhi me ta? Çfarë bënë së bashku?
41 gola në 30 muaj
Vlahovic ka qëndruar me Allegrin dy sezone e gjysmë, duke shënuar 41 gola me fanellën bardhezi. Nuk janë pafund, por as shumë pak gola. Le ta themi kështu: pak për një sulmues që paguhet 8-10-12 milionë në sezon, por gjithsesi një kuotë me dy shifra të rregullta në kampionat.
Më i rëndësishmi, më simboliku: goli i 15 majit 2024 në Romë, finalja e Kupës së Italisë, kur Juventusi mposhti Atalantën. Atë finale e vendosi DV9. Ishte ndeshja e fundit e Max me Juventusin. Të dhënat thonë se Vlahovic me Allegrin nuk ka pasur shifra të jashtëzakonshme: shënon 0.52 gola për 90 minuta, ndërsa në ndeshjet pa Allegrin (me Tudor, Italiano dhe Prandelli) arrin mesataren 0.71.
Me Allegrin, megjithatë, godet më shumë, gjë që tregon dy gjëra: rastet janë më pak të pastra dhe Dusan është më pak i saktë. Në përgjithësi, trajneri që ka nxjerrë më të mirën nga Vlahovic ka qenë Italiano: 24 ndeshje me 0.88 gola çdo 90 minuta.
Marrëdhënia mes të dyve
Vlahovic nuk ndryshon; në moshën 25-vjeçare është një lojtar i formuar, siç tregojnë edhe kontaktet me topin sipas zonave. Mund të përmirësohet në detaje, por ka karakteristika të qarta: lëviz aq sa duhet dhe jep maksimumin në zonë e përreth saj.
Allegri nuk ka ngritur rastësisht gishtin e madh lart. Vlahovic nuk është sulmuesi i tij i preferuar, Max ka pasur shumë kampionë, por e preferon ndaj zgjidhjeve eksperimentale, ende të patestuara në Serie A.
Allegri e di që DV9 nuk është sulmuesi perfekt, mund të luajë më shumë për skuadrën dhe teknikisht ka kufizime, por e njeh, e di që Dusan njeh rrugën drejt portës dhe ka trup për ta ndihmuar ekipin të dalë përpara.
Gola dhe stola
Në dy vite e gjysmë te Juve, ata të dy kanë pasur momente të mira dhe të tjera më pak. Debutimi, për shembull, ishte i shkëlqyer: 6 shkurt 2022, gol i Vlahovic ndaj Veronës në “Allianz Stadium”, me botën të bindur se do të ishte stacioni i parë i një historie të madhe.
Pastaj, 22 shkurt, gol në debutimin në Champions kundër Villarrealit. Deri në prill gjithçka shkonte mirë, me Allegrin që përpiqej të frenonte, të mos e ekzagjeronte, të thoshte se Dusan është ende i ri dhe duhet mbrojtur.
Në vitin 2023, megjithatë, nisën problemet. Pubalgjia e mallkuar, golat që munguan në kampionat nga shkurti në maj, pastaj stoli për t’i bërë vend Milik dhe mbi të gjitha Kean. Stola simbolikë, sepse Vlahovic nuk foli kurrë keq për Allegrin, por me kalimin e kohës u mbyll në vetvete dhe në gabimet e veta, u trishtua.
Pra, ajo fjali për Haaland dhe Mbappé mbeti një kujtim i tejkaluar. Kujtimi i fundit është fraza e disa ditëve më parë nga Giovanni Galeone, mentori i Allegrit, njeriu që ndan me të ide dhe vizione: “Dusan teknikisht është zero, nuk di të stopojë një top dhe fiton një milion euro në muaj”. Ej, mister, mos e teprojmë tani…
The post Kritika, lavdërime, përqafime, tension, stola, 41 gola. Allegri dhe Vlahovic, a do të ribashkohen? appeared first on Telesport.