Kriteret teknike në tenderin 450 mijë euro të Gjilanit ngrenë dyshime për favorizim të operatorëve të caktuar

Vlefshmëria e kontratës kornizë për hartimin e projekteve infrastrukturore që Komuna e Gjilanit kishte me operatorët “Avag Group” dhe “Sinani Ing” ka përfunduar vitin e kaluar. Kjo kontratë kapte vlerën e 384 mijë eurove dhe ishte zbatuar përgjatë tre viteve pa ndonjë pengesë të dukshme. Në fund të dhjetorit 2024, Komuna ka hapur një tender të ri për të njëjtin shërbim, por këtë herë me kritere të pazakonta dhe të debatueshme, të cilat mund të përjashtojnë pjesëmarrjen e gjerë, shkruan Demokracia.com.

Tenderi për “Hartimin e projekteve për infrastrukturë rrugore dhe investimet kapitale” u publikua më 11 dhjetor 2024 me një vlerë të parashikuar prej 450 mijë euro dhe një kohëzgjatje 36-mujore. Që nga publikimi i tij, prokurimi i Komunës së Gjilanit ka bërë katër korrigjime të dosjes së tenderit të gjitha si rezultat i ankesave dhe pyetjeve nga operatorët ekonomikë që kundërshtuan ashpër kriteret e vendosura fillimisht. Madje, edhe vetë Organi Shqyrtues i Prokurimit ka urdhëruar komunë të bëjë korrigjimin e disa prej kritereve.

Në vend që të zbusnin kriteret për të mundësuar pjesëmarrje më të gjerë, prokurimi komunal që udhëhiqet nga Kujtim Bajrami ka përfshirë kërkesa edhe më të ashpra dhe specifike. Kështu, në korrigjimin e dytë të dosjes janë futur pajisje të specializuara që rrallë shihen në tenderë të kësaj natyre. Demorkacia.com nuk ka mundur të identifikoje asnjë prej këtyre kritereve në tenderët lokal të kësaj natyre:

  • 3 pajisje GPS bazë + rover, me dëshmi pronësie dhe certifikatë kontrolli;
  • 3 Stacione Totale për rilevim, me të njëjtat kritere dokumentimi;
  • Një dron aerofotogrametrik me video 4K dhe kamera me rezolucion ≥48MP;
  • Lidar Cygnus Lite Handheld SLAM Scanner, me RTK dhe kamera 12MP për skanime 3D.

Për secilën nga këto pajisje kërkohet dokumentim pronësie apo marrëveshje përdorimi ekskluziv, të lidhura posaçërisht për këtë aktivitet. Kjo përbën një devijim të madh krahasuar me kontratën e mëparshme, ku këto pajisje nuk ishin të kërkuara dhe puna ishte realizuar me sukses.

Vendosja e këtyre pajisjeve duket jo vetëm e panevojshme për natyrën e shërbimit, por edhe përjashtuese për operatorët që në të kaluarën kanë dëshmuar kapacitet profesional të mjaftueshëm. Në shumicën e rasteve, projektet komunale infrastrukturore realizohen me pajisje standarde që përdoren gjerësisht në zyrat e projektimit dhe gjeodezisë.

Për shembull, kërkesa për tri pajisje GPS bazë + rover është tej mase e lartë. Në praktikë, projektet gjeodezike zakonisht funksionojnë me një deri dy pajisje, pasi nuk është e zakonshme që matjet të bëhen paralelisht në tre zona të ndryshme.

Njësoj, tri Stacione Totale janë të nevojshme vetëm në projekte shumë të mëdha ku punohet në terren në disa lokacione njëkohësisht diçka që nuk është e zakonshme për natyrën e projekteve që zakonisht hartohen nga komunat.

Kamera ≥48MP dhe Lidar i avancuar- luks apo nevojë reale?

Dronët janë padyshim një mjet modern dhe efikas për rilevime dhe dokumentime të terrenit, por kërkesa për kamerë me rezolucion jo më të vogël se 48MP është e diskutueshme. Drone si DJI Phantom 4 RTK, të cilët përdoren në mënyrë të gjerë për aerofotogrametri, kanë kamera 20MP – mëse të mjaftueshme për qëllime topografike. Kërkesa për 48MP dhe 4K është e papërligjur teknikisht dhe mund të ketë efekt përjashtues për shumë kompani.

Sa i përket kërkesës për Lidar Cygnus Lite Handheld SLAM Scanner, kjo është një pajisje tepër e specializuar që përdoret në skanime 3D të ndërtesave ekzistuese, restaurime arkitektonike apo modelim BIM. Nëse dokumentacioni teknik i tenderit nuk përfshin kërkesa specifike që lidhen me skanime të tilla, kjo pajisje përbën një kriter të pajustifikueshëm dhe diskriminues, dhe bazuar në paramasën e tenderit që ëhstë e nagrkaur në E-prokurim tek kjo procedurë, nuk kërkohen kërkesa specifike për skanime të tilla.

Bazuar në ueb-faqen e OSHP-së një operator ekonomik ka parashtruar ankesë në OSHP, e cila është aprovuar si pjesërisht e bazuar.

OSHP ka detyruar Autoritetin Kontraktues të bëjë korrigjimin e dosjes së tenderit dhe të zgjatë afatin për ofertim, në përputhje me dispozitat ligjore. Megjithatë, vendimi i OSHP nuk ka adresuar të gjitha pretendimet e ankuesit, veçanërisht ato që lidhen me pikat 3.2, 3.4, 3.5 dhe 3.6 të dosjes së tenderit edhe pse eksperti shqyrtues ka konstatuar se këto kërkesa janë të panevojshme në raport me natyrën e kontratës dhe nuk janë aplikuar në projektin e ngjashëm të para tri viteve.

Siç u theksua, nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se Zyra e Prokurimit e Komunës së Gjilanit ka vendosur kërkesa të reja dhe të pazakonta në pikat 3.2, 3.4, dhe sidomos në pikat 3.5 dhe 3.6, të cilat nuk kanë qenë të parashikuara në tenderët e mëparshëm me objekt të njëjtë.

Në gusht të vitit 2021 Komuna Gjilanit kishte nënshkruar kontratën kornizë me validtet për 36 muaj për “Hartimi i projekteve të infrastrukturës rrugore, kanalizim dhe shërbime gjeodezike” më operatorët ekonomik “Avag Group” shpk; “Sinani Ing” shpk në një vlerë prej 384 mijë eurove. Këto tri kërkesa nuk kanë qenë të përfshira në atë tender. Para pak javëve Komuna Shtimes ka lidhur një kontratë për “Hartimi i projekteve ideore dhe kryesore Lot I”, Hartimi i projekteve ideore dhe kryesore Lot II” për Komunën e Shtimes -Kontratë korrnizë për 24 muaj” Ri tenderim. Demorkacia.com ka shikuar dhe nuk ka gjetur që në dosje të tenderit, apo në njoftimin për kontratë të jetë vendosur si kriter i domosdoshëm posedimi i ndonjërës prerja këtyre paisjeve, që Gjilani i vendosi me rishikim të dosjes dhe se dosjen e parë nuk e kishte publikuar më to.

Demorkacia.com ka kërkuar një sqarim nga Komuna e Gjilanit lidhur më të gjitha këto, por edhe pse komuna ka premtuar se do të ktheje përgjigje, një gjet ë tillë nuk e ka bërë deri në publikimin e këtij shkrimi.

Ligji për Prokurimin Publik e përcakton qartë se kriteret teknike duhet të jenë proporcionale dhe të lidhura drejtpërdrejt me qëllimin e kontratës. Në rastin e Gjilanit, kriteret janë vendosur pa një arsyetim bindës dhe në mënyrë që mund të përshtaten vetëm me operatorë që tashmë posedojnë pajisje të nivelit të lartë çka përforcon dyshimet për favorizim.

Ndërhyrjet e shpeshta në dosjen e tenderit (katër korrigjime të njëpasnjëshme), përfshirja e pajisjeve me kosto të lartë, dhe mungesa e arsyetimit të qartë teknik për nevojën e tyre, e bëjnë këtë tender të kontestueshëm.

Megjithëkëtë tashmë në garë për tender janë katër konzorciume

Operatorët konkurrues dhe ofertat në garë

Pas hapjes së ofertave më 28 prill 2025, pesë konsorciume kanë marrë pjesë në garë:

  • “Dea Group” & “A2 Engineering” – 63.25 €/njësi
  • “Geo & Land”, “Land” & “3D-Project” – 1.85 €/njësi
  • “Inno Group”, “EngGroup” & “Semak” – 2.48 €/njësi
  • “FST Engineering”, “Gjeo-Projekt” & “Studio Hapsira” – 3.33 €/njësi
  • “Eni Design” & “AL Engineering” – 6.12 €/njësi

Dallimet drastike në çmimet e ofertave për njësi shërbimi janë një tjetër sinjal për shqyrtim më të thelluar të mënyrës se si është formuluar tenderi dhe nëse është krijuar një avantazh artificial për ndonjë nga pjesëmarrësit.

Tashmë tenderi është në vlerësim të ofertave. /Demokracia.com/