Kristjan Asllani, por jo vetëm. Ja lojtarët në largim tek Interi dhe destinacionet e mundshme

Kristjan Asllani është zyrtarisht në merkato, siç u konfirmua nga drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio, fundjavën e kaluar. Sidoqoftë, mesfushori shqiptar nuk është i vetmi që klubi zikaltër kërkon ta sistemojë gjatë 42 ditëve të mbetura të merkatos.

Përveç rasteve të veçanta, si një ofertë e madhe për Bisseck apo klauzola e Denzel Dumfries, që është e vlefshme deri në fund të muajit, ekziston një listë e gjatë lojtarësh që nuk bëjnë më pjesë në projektin e ri të trajnerit Chivu dhe pritet të largohen në javët në vijim, qoftë në formë huazimi, qoftë me transferim të plotë.

I pari në prag largimi ishte Tajon Buchanan, kanadezi që sezonin e kaluar luajti i huazuar te Villarreal. Ai ishte zgjedhja e drejtorit të Sassuolos, Giovanni Carnevali, për të zëvendësuar Laurienté, por pasi transferimi i këtij të fundit te Sunderland dështoi, edhe marrëveshja për Buchanan është bllokuar.

Sassuolo ka interes edhe për mesfushorin serb të lindur në vitin 2005, Aleksandar Stankovic, për të cilin Interi dëshiron të ruajë kontrollin. Lojtari pëlqehet gjithashtu nga Club Brugge, ku shihet si pasuesi i Jasharit, por ende nuk ka marrëveshje për shumën e së drejtës së riblerjes.

Një tjetër që pritet të largohet është Mehdi Taremi. Sulmuesi iranian, i ardhur verën e kaluar si lojtar i lirë, nuk është më pjesë e planeve të Interit. Klubi tashmë ka marrë Bonny, ka konfirmuar Pio Espositon dhe së shpejti mund të firmosë edhe me Lookman. Për Taremin nuk ka më vend, ndaj përmes përfaqësuesve të tij po kërkohen opsione në Portugali dhe Turqi.

Ndërkohë, Sebastiano Esposito do të qëndrojë në Itali. Pavarësisht interesit fillestar të Fiorentinës, tani janë Parma dhe Cagliari që po shtyjnë për ta blerë, me një vlerësim që shkon nga 7 deri në 8 milionë euro.

The post Kristjan Asllani, por jo vetëm. Ja lojtarët në largim tek Interi dhe destinacionet e mundshme appeared first on Telesport.