Kristiano Ronaldo në historinë e Serisë A, Juventusi barazon rekordin e 1957-ës
Pas fitores me përmbysje kundër Lacios (1-0, 1-2) të dielën në “Olimpico”, Juventusi i Masimiliano Alegrit e sheh veten +11 pikë distancë nga Napoli i vendit të dytë në klasifikimin e Serisë A. Bardhezinjtë vazhdojnë marshimin, në një sezon ku po konfirmohen të pandalshëm dhe në transfertën e së dielës mbrëma kampionët italianë arritën të regjistrojnë disa rekorde.
I pari ka protagonist Kristiano Ronaldon: me golin e realizuar nga penalltia, që i dha suksesin Juventusit pas barazimit të Zhoao Kanselos, portugezi ka shënuar në tetë ndeshje të njëpasnjëshme larg fushe në Serie A. CR7 është i pari që arrin këtë rekord në ligën superiore italiane.
JUVE “MONSTRUOZE” – Sakaq, për ish-lojtarin e Realit të Madridit ky ishte goli i 15-të në 21 ndeshje të Serisë A, i 17-ti në 28 ndeshje në total me fanellën e Juventusit: numra të cilëve, gjithashtu, u ka shtuar 8 asiste në këtë sezon. Kundër Lacios, bardhezinjtë arritën ndeshjen e 29-të radhazi me të paktën një gol të shënuar.
“Zonja e Vjetër” ka shënuar 54 gola në Serinë A, Ligën e Kampionëve, Kupën e Italisë dhe Superkupë, nga fillimi i sezonit: një tjetër shifër “monstruoze” që i lejoi skuadrës së Masimiliano Allgrit të shënonte një rekord të mbajtur nga Juventusi i sezonit 1957-1958, i udhëhequr nga treshja Boniperti-Çarls-Sivori.