Krimet Ekonomike ‘zbarkojnë’ në Agjencinë e shoqes së Luan Dalipit

Prokurorisë i ka dalë sërish punë me keqbërësit e pushtetit.

Një tjetër institucion shtetëror tash është në llupën e organit të akuzës nën dyshimet për keqpërdorim.

Bëhet fjalë për Agjencinë e Punësimit të Kosovës, në krye të së cilës është Jehona Rexha, mikeshë e ngushtë me kryekëshilltarin e kryeministrit Kurti, Luan Dalipin – për emërimin e së cilës do të flas pak më vonë në këtë video.

Ishte korriku i këtij viti, kur në adresë të Departamentit të Krimeve të Rënda të Prokurorisë në Prishtinë shkuan disa informata për Agjencinë e Punësimit. Dyshohej, ndër të tjera, se zyrtarë aty kanë bërë punësime të paligjshme.

Menjëherë pasi prokurorët morën informatat, nisën hetimet e tyre duke autorizuar Krimet Ekonomike të Policisë për të ndërmarrë veprime me qëllim grumbullimin e informacioneve dhe provave që do të zbardhin dyshimet në fjalë.

Zyrtarë të Agjencisë, siç i tha Prokuroria VOX Kosovës, dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Emra apo pozita s’u përmenden shkaku i fazës së ndjeshme në të cilën ndodhet rasti.

Të kthehemi tash tek personi që udhëheq me këtë agjenci, tek Jehona Rexha.

Nga viti 2022, ajo u vendos në pozita të larta në këtë Agjenci. E njëjta, ka një marrëdhënie të ngushtë miqësore me Luan Dalipin, shefin e kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, prova për raportin e të cilëve, gjinden me të madhe në rrjet.

Hiç më larg se para tre muajsh, ajo, me një vendim të veçantë të nënshkruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, u vendos si Ushtruese e Detyrës së Drejtoreshës së Agjencisë së Punësimit.

Ndonëse vetë Institucioni që ajo drejton i referohej që një kohë të gjatë asaj si drejtoreshë, i njëjti VOX Kosovës i tha se Jehona Rexha, para vendimit të korrikut e që nga viti 2022,  kryente detyrën e zëvendëses së drejtorit.

Ndër të tjera, arsyetuan se ajo punon moti në këtë Agjenci.

Eshte pyetur edhe Agjencia në fjalë edhe për hetimet e Krimeve Ekonomike, por deri në momentin e publikimit të kësaj videoje, s’pati përgjigje.

Në pushtetin aktual, nepotizmi është kthyer në profesion.

Familjarët që dikur ishin për dasma, sot janë për institucione. Në këtë vend, miqtë e pushtetit s’kanë nevojë për konkurs. Sepse kanë sistemin si rekomandim.