Krijohet regjistri shtetëror i mësuesve të gjuhës shqipe dhe certifikata për nxënësit në Diasporë

Miratohet krijimi i regjistrit shtetëror të mësuesve të gjuhës shqipe dhe certifikata për nxënësit në Diasporë.
Këshilli i Ministrave ka miratuar propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën për krijimin e regjistrit shtetëror të mësuesve të gjuhësh shqipe në bazë të të cilit ministria përgjegjëse për arsimin krijon regjistrin shtetëror të mësuesve të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare në diasporë.
Ky regjistër do të përmbajë listën e mësuesve të cilët kanë të drejtë të japin mësim për programin e gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare në diasporë.
Gjithashtu aty do të pasqyrohen të dhënat e mësuesve në Diasporë të cilat do të bëhen pas vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur nga ana e tyre, në ministrinë përgjegjëse.
Në bazë të marrëveshjes “Për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë dhe mërgatë”, datë 23.03.2015 ministria përgjegjëse për arsimin gjithashtu do të përgatisë certifikatën për nxënësit që përfundojnë programin e mësimit të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare në Diasporë./ATSH/