Krijohet portali i parë pedagogjik, në funksion të zhvillimit të arsimit shqip në Zvicër

Këto ditë në kuadër të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Cyrih të Zvicrës është hapur portali i parë pedagogjik i rëndësishëm për shkollat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

Një kënd i veçantë për sa i përket ndihmës zvicerane në fushën arsimore e kulturore zë edhe ngritja e kësaj faqeje në  internet, e quajtur “Materiale për mësimin në gjuhën e prejardhjes”, nga pedagogu, albanologu zviceran, Prof. Dr. Basil Schader.

Ndër të tjera, ai shkruan: “Besoj se kjo Qendër Interneti do të jetë tepër e dobishme për mësimdhënësit/et e MP shqip, sepse ajo e lehtëson shumë orientimin dhe kërkimin e materialeve për tema dhe fusha të caktuara, si dhe shkarkimin e faqeve përkatëse. Do t’ ju isha shumë mirënjohës po t’ua komunikoni linkun përkatës sa më shumë mësuesve dhe mësueseve si dhe personave dhe autoriteteve të tjera që mund të interesohen për këto materiale (të cilat me siguri mund të kontribuojnë edhe në mësimin e rregullt në Shqipëri dhe Kosovë).”

Një thesar me materiale didaktike për mësimin në gjuhën e prejardhjes është vendosur në ketë adrës: https://myheritagelanguage.com/sq/ është fryt i një pune të pandërprerë disavjeçare e Prof. Dr. Basil Schader, i  bashkëpunimit të ngushtë me profesionistë zviceranë, atyre evropianoperëndimorë dhe, në anën tjetër, të mësimdhënësve të dalluar të mësimit plotësues, ndër të tjerë, edhe shqiptarë.

Në fakt, seria “Materiale për mësimin në gjuhën e prejardhjes” që fillimisht është botuar si libër i shtypur, e që në hartimin e tij morën pjesë 67 persona nga 5 vende dhe 17 grupe, është digjitalizuar.  Vetëtimthi po hedhim një vështrim materialeve që janë vënë në gjuhën shqipe.

Seria me “Materiale për mësimin në gjuhën e prejardhjes” i përbërë nga libri “Bazat dhe arsyet” dhe gjashtë pjesë shtytëse që paraqesin vlera për përkrahjen e kompetencave gjuhësore:1) Përkrahja e të shkruarit në gjuhën e parë. 2) Përkrahja e të lexuarit në gjuhën e parë. 3) Përkrahja e komunikimit gojor. 4) Përkrahja e kompetencave ndërkulturore. 5) Strategji dhe teknika të të mësuarit. 6) Rreth përdorimit të dialektit dhe gjuhës standarde dhe informacionet e duhura për përdorim të mësimdhënësve. Në këtë drejtim në njërën anë gjejmë pjesën teorike të mësimdhënies, Bazat dhe arsyet e pedagogjisë dhe didaktikës evropiane dhe anën tjetër gjejmë modele mësimore praktike dhe konkrete. Duke njohur problemet e shkollës shqipe në lidhje me rritjen e cilësisë së të nxënit të saj, si dhe duke kuptuar, menduar, gjykuar mbi këtë fushë studimi mendojmë se risitë didaktike janë një nga çelësat përmes të cilit mund të ndryshojë cilësia e të nxënit të nxënësve në shkollë. Me ketë vepër janë hedhur hapa konkret për një mësimdhënie – nxënie aktuale, cilësore dhe moderne.

Ky realizim me vlerë u vjen në ndihmë në radhë të parë mësimdhënësve të mësimit plotësues të gjuhës amtare në punën e tyre të rëndësishme dhe  me kërkesa të larta. Në këtë mënyrë do të rritet cilësia e mësimdhënies dhe do të përmirësohet mësim-nxënia, perspektiva e arsimimit të fëmijëve shqiptarë të emigruar do të rritet.

Portali i sapo krijuar me materiale të bollshëm, të shumëllojshëm didaktik i përgjigjet gjendjes, nevojës dhe mundësive të mësimit plotësues në gjuhën e amtare dhe se janë funksionale e praktike për mësim.