Kreu i Odës Ekonomike Amerikane: Qeveria e Kosovës të tregohet serioze në raportet me SHBA

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, kërkon nga qeveria e Kosovës të tregojë seriozitet të plotë në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të ndërmarrë masa konkrete për të përmirësuar klimën e biznesit, përndryshe siç thotë ai, vendi rrezikon të humbasë mundësi strategjike dhe ekonomike.

Në një intervistë për KosovaPress, Zeka vlerëson se vendimet e pakoordinuara dhe vonesat në politikë kanë sjellë tensione të brendshme dhe kanë ndikuar negativisht në marrëdhëniet me aleatët strategjikë. Ai thekson se vetëm një qeveri e përkushtuar dhe serioze mund të avancojë dialogun strategjik dhe të përfitojë nga mundësitë për tregti dhe investime.

Por ky seriozitet, sipas tij, ka munguar shumë përgjatë viteve të fundit.

Zeka gjithashtu u ndal tek marrëveshjet tregtare dhe tarifat doganore. Ai vlerëson heqjen e tarifave në gusht të vitit të kaluar, derisa thekson se kjo hap mundësi për rritje të shkëmbimeve tregtare dhe për promovimin e produkteve amerikane në Kosovë.

Zeka, megjithkëtë dyshon se vonesa e këtij vendimi, tash mund t’i kushtojë Kosovës.

Përfaqësuesi i bizneseve amerikane në Kosovë, foli edhe për pasojat e krizave politike dhe mungesës së qeverisë së re në vitin 2025, duke pohuar se kjo ka ndikuar keq në rritjen ekonomike dhe në pasigurinë juridike, nga të cilat janë afektuatr drejtpërdrejt bizneset dhe konsumatorët.

E shqetësimin më të madh, Zeka e ka për raportin negativ midis eksportit dhe importit.

Ai përmendi idenë e Odës për mbështetje të ndërmarrjeve prodhuese dhe startup-eve për të zvogëluar deficitin tregtar dhe për të krijuar vende të reja pune, por që sipas tij, nuk u zbatua nga qeveria e kaluar.

Ndërkohë, telash për operimin e bizneseve është edhe shtrenjtimi i tarifave të energjisë elektrike, si edhe nxitimi për liberalizimin e tregut në këtë fushë. .

Zeka e nënvizon sektorin e energjisë, si njërin nga sektorët e anashkaluar nga qeveria, ani se ka potencial të madh për zhvillim.

Zeka thekson se Kosova duhet të dëshmoj sundim të plotë të ligjit dhe të ofrojë klimë stabile për investitorët. Kjo, duke zatuar ligjet dhe politikat që mbështesin zhvillimin ekonomik dhe investimet strategjike.