Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se të gjithë aleatët, përfshirë Spanjën, e kanë pranuar deklaratën përfundimtare dhe objektivat e reja të kapacitetit, transmeton Anadolu.
Rutte në një konferencë për media përpara Samitit dy-ditor të NATO-s i cili fillon nesër në Hagë të Holandës tha: “Po takohemi në një moment historik kur përballemi me sfida të rëndësishme dhe në rritje për sigurinë tonë”.
“Ndërsa bota bëhet më e rrezikshme, udhëheqësit aleatë do të marrin vendime të guximshme për të forcuar mbrojtjen tonë kolektive dhe për ta bërë NATO-n një aleancë më të fortë, më të drejtë dhe më vdekjeprurëse. Këtë javë, aleatët do të miratojnë një plan të ri të madh investimesh në mbrojtje që e ngre standardin për investimet në mbrojtje në 5 për qind të produktit të brendshëm bruto (PBB)”, tha ai.
Rutte theksoi se fokusi do të vazhdojë në mbështetjen e Ukrainës si dhe në kërkimin e një fundi të drejtë dhe të qëndrueshëm të luftës në Ukrainë. Ai bëri thirrje për një rritje pesëfish të aftësive të mbrojtjes ajrore të NATO-s, për posedimin e mijëra tankeve, automjete të blinduara dhe miliona municione artilerie për të ofruar sigurinë e një miliard qytetarëve të NATO-s.
Sipas tij, samiti do të ofrojë mundësi për të bashkëvepruar me Ukrainën, partnerët e NATO-s në Azi-Paqësor dhe udhëheqjen e Bashkimit Evropian (BE).
Kur iu rikujtua se Spanja ka kundërshtuar objektivin prej 5 për qind dhe kishte marrë një përjashtim dhe nëse presidenti i SHBA-së, Donald Trump është apo jo në të njëjtin mendim me këtë, Rutte tha: “Të gjithë aleatët e pranuan deklaratën dhe të gjithë aleatët pranuan kapacitetet (objektivat)”.
“E vërteta është se Spanja mendon se mund t’i arrijë këto objektiva me 2.1 për qind. NATO është absolutisht e bindur. NATO është absolutisht e bindur se Spanja duhet të shpenzojë 3.5 për qind së bashku. Pra, secili vend tani do të raportojë rregullisht për atë që ka bërë në aspektin e shpenzimeve dhe arritjes së objektivave që do të shohim. Tashmë do të ketë një shqyrtim”, tha Rutte.
Sulmi i SHBA-së ndaj Iranit
Pas pyetjes nga një gazetar se “Ne shohim që SHBA-ja është e përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin në Iran, a jeni të shqetësuar se kjo do të ndikojë në pikëpamjet tuaja mbi detyrimet tuaja ndaj NATO-s, ndoshta duke e shtyrë NATO-n edhe më poshtë në listën e prioriteteve?”, Rutte tha se nuk kishte shqetësime të tilla.
Ai tha se Irani ka mbështetur Rusinë në Ukrainë dhe ka lidhje të ngushta me Korenë e Veriut, Kinën dhe Bjellorusinë, dhe se zhvillimet që përqendrohen në këto vende do të jenë në axhendën e samitit.
Kur u pyet nëse mendonte se sulmet e SHBA-së ndaj Iranit janë apo jo kundër ligjit ndërkombëtar, Rutte potencoi se aleatët e NATO-s janë në të njëjtin mendim se Irani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore. “Prandaj, nuk pajtohem se kjo është kundër ligjit ndërkombëtar”, tha Rutte.
The post Kreu i NATO-s, Rutte: Të gjithë aleatët i kanë pranuar objektivat e reja të mbrojtjes appeared first on Kosovapost.net.