Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), Hysni Gucati, së bashku me dy nënkryetarë, janë pritur në një takim në Ambasadën e Suedisë në Prishtinë nga ambasadori Jonas Westerlund, transmeton KosovaPost.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë organizata përmes një postimi në rrjete sociale, ku thuhet se gjatë këtij takimi u shpreh mirënjohje për mbështetjen që Suedia i ka dhënë Kosovës ndër vite.
“Gjatë takimit u shpreh mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Suedia i ka dhënë Kosovës në të gjitha etapat, nga koha e luftës, tek rindërtimi institucional, deri te përkrahja për zhvillimin demokratik dhe shtetndërtimin”, thuhet në njoftim.
Përfaqësuesit e OVL UÇK-së i shprehën ambasadorit suedez shqetësimet e tyre lidhur me proceset në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke theksuar nevojën që këto procese të jenë të drejta dhe të bazuara në të vërtetën.
“Nga Suedia, si shtet mik dhe partner i qëndrueshëm, kërkuam që ta përdorë zërin e saj për të mbrojtur drejtësinë dhe dinjitetin e luftës sonë çlirimtare”, thuhet tutje në reagimin e veteranëve.
Krerët e OVL UÇK-së kërkuan që shtetet mike si Suedia të qëndrojnë pranë Kosovës edhe në përballjen me sfidat e drejtësisë ndërkombëtare.
The post Krerët e OVL UÇK-së takohen me ambasadorin suedez, kërkojnë mbështetje për drejtësinë e luftës çlirimtare appeared first on Kosovapost.net.