Kremlini refuzon të bëjë publik delegacionin për bisedimet e propozuara me Ukrainën

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, ka refuzuar të hënën të thotë se kush do të udhëtojë në Stamboll të enjten për bisedimet e paqes me Ukrainën, të cilat presidenti rus, Vladimir Putin i ka propozuar gjatë fundjavës.

“Në atë deklaratë (Putin) në mënyrë të qartë parashtroi qëndrimin tonë për rifillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta në Stamboll pa asnjë parakusht, të njëjtat bisedime të drejtpërdrejta që u ndërprenë nga pala ukrainase në 2022”, ka deklaruar Peskov të hënën, raporton AP.

Peskov ka theksuar se propozimi i Moskës, “që synon veçanërisht gjetjen e një zgjidhjeje të vërtetë diplomatike për krizën ukrainase, eliminimin e shkaqeve rrënjësore të konfliktit dhe vendosjen e një paqeje të qëndrueshme” u mbështet nga “udhëheqësit e shumë shteteve, përfshirë partnerët në CIS, BRICS dhe vende të tjera.

Ai ka thënë gjithashtu se presidenti i SHBA-së, Donald Trump i ka kërkuar Ukrainës që të pajtohet me propozimin e Rusisë dhe të marrë pjesë në bisedimet në Stamboll, për të cilat presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan ka premtuar se do të ndihmojë në organizimin dhe pritjen.

“Në përgjithësi, ne jemi të vendosur të kërkojmë seriozisht mënyra për të arritur një zgjidhje paqësore afatgjatë. Kjo është e gjitha”, ka thënë Peskov.

I pyetur se kush do të shkojë në Turqi si pjesë e delegacionit rus, Peskov ka thënë se nuk ka asgjë për të shtuar për momentin.

I pyetur për komentet e zyrtarëve të qeverisë gjermane për vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj Rusisë nëse nuk ka pajtim për armëpushim deri në fund të së hënës, Peskov ka thënë se gjuha e ultimatumeve është e papranueshme për Rusinë.

“Nuk mund të flasësh me Rusinë në këtë gjuhë”, ka thënë Peskov.

Të dielën në mbrëmje, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka kërkuar presidentit rus, Vladimir Putin, takim sy më sy në Stamboll, më 15 maj.

Zelensky ka shkruar në X se në këtë datë dhe në këtë vend, do të jetë personalisht duke e pritur Putinin për bisedime.