Një ditë më parë, delegacioni serb mbështeti projekt-rezolutën e paraqitur nga Ukraina.
Kremlini ka pranuar faljen e presidentit serb Aleksandër Vuçiç për një gabim të bërë gjatë votimit të një rezolute për Ukrainën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, u tha gazetarëve sekretari i shtypit presidencial rus Dmitry Peskov.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia shtetërore “Ria Novosti”, duke cituar zëdhënësin e Kremlin-it, Dmitry Peskov.
“Sigurisht, e dëgjuam, sigurisht, e pranuam. Në të vërtetë, gabimet teknike ndodhin. Dhe sigurisht, një reagim i tillë i shpejtë nga kreu i shtetit është shumë ngashënjyes për ne”, tha ai.
Një ditë më parë, delegacioni serb mbështeti projekt-rezolutën e paraqitur nga Ukraina dhe partnerët e saj perëndimorë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Vuçiç më vonë tha se ishte gabim – Serbia duhej të abstenonte dhe u kërkoi falje qytetarëve.
Sipas tij, serbët votuan për rezolutën e dytë amerikane për Ukrainën ashtu siç duhej, pra abstenuan.
Rezoluta e përgatitur nga Ukraina në bashkëautorësi me më shumë se 50 vende, u votua nga 93 vende, 18 votuan kundër, duke përfshirë Rusinë, Shtetet e Bashkuara, Hungarinë dhe Izraelin, ndërsa 65 vende të tjera abstenuan.