Krejt VV-ja në këmbë për koalicionet PDK-LDK, i harrojnë bashkëpunimet me AAK-në e Zafir Berishën

Ka mjaftuar koalicioni i PDK-së me LDK-në në Mitrovicë e Prizren, që VV-ja të ngritët në këmbë.

Edhe vet kërkuan koalicione me të njëjtat parti, Vetëvendosja nisi me sulmet duke theksuar se të gjithë janë bashkuar kundër VV-së.

Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, reagoi i pari.

“LDK mbështet PDK-në në Prizren. Nënkryetari i PDK-së mbështet Përparim Ramën e LDK-së në Prishtinë. Ndërkohë, kujtojmë sikletin e kërcënimin e Lumir Abdixhikut kur dega e subjektit të tij e mbështeti LV-në në Vushtrri. PDK kërkoi ndryshim në Prishtinë në raundin e parë, njëjtë edhe LDK në Prizren. Ndërkohë, tash bashkohen në koalicion me mosndryshimin. E ditur, kjo nomenklaturë është sinonim i mosndryshimit edhe përkundër vullnetit qytetar. Por, 9 nëntori ka për t’i befasuar”, ka shkruar Manxhuka.

Sot vazhdoi me akuza edhe sekretari i VV-së, Alim Rama.

“Sa shpejt u harruan fjalët për “ndryshim”! Kandidatët për kryetarë komunash që para pak ditësh mbanin ligjërata për nevojën e një fillimi të ri, sot, nën diktatin e kryesive të partive të tyre, po i bëjnë aleatë pikërisht ata që i akuzonin për qeverisje të dështuar. Tani, kujt t’u besojnë qytetarët? Koalicionet e interesit janë të përkohshme, ndërsa ndryshimi i vërtetë është i qëndrueshëm”, ka shkruar ai.

Por, në të njëjtën ditë, partia e Albin Kurtit bëri koalicion me Zafir Berishën, për të cilin nuk kishin lënë gjë të zezë pa thënë.

Lajmin e bëri të ditur kandidati për kryetar të Prizrenit, Artan Abrashi.

“Bashkë, me ikonën Zafir Berisha me zemër e vullnet për Prizrenin që na bashkon!”, ka shkruar ai.

VV-ja ka bërë disa koalicione edhe me AAK-në.

Fushë Kosovë

Kandidati i VV-së në Fushë Kosovë, Valon Prebreza publikoi një foto me shtrëngim duarsh me kandidaten e AAK, Vildane Latifi, duke njoftuar arritjen e marrëveshjes.

“Vazhdojmë rrugëtimin bashkë drejt ndryshimit! Na priftë e mbara”, ka shkruar Prebreza, duke publikuar edhe një fotografi të përbashkët me Latifin.

Prizren

Këto dyja parti, kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi për balotazh edhe në Prizren.

Kandidati i VV-së në Prizren, Artan Abrashi, në një shkrim ka bërë të ditur se nënshkruan marrëveshjen me kandidatin e AAK-së, Besnik Krasniqi.

“Nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi për të ndërtuar një qeverisje të drejtë, transparente dhe zhvillimore për qytetin tonë. Ky bashkëpunim ka vetëm një qëllim: t’i shërbejmë qytetarëve të Prizrenit dhe të garantojmë që çdo projekt, çdo investim e çdo vendim të jetë në dobi të komunitetit tonë. Bashkë, me përkushtim dhe përgjegjësi, do të punojmë për: zhvillim ekonomik e infrastrukturor, arsim e rini, qeverisje të hapur dhe llogaridhënëse. Prizreni është mbi çdo interes partiak. Për qytetin tonë, për të ardhmen e përbashkët”, ka shkruar Abrashi.

AAK-ja në Prizren mori vetëm 2,214 vota apo 3.47%, por edhe këto vota janë të mirëseardhura për VV-në, e cila është mjaft larg mbrapa vendit të parë.

Junik

Edhe Junikun e synojnë bashkë AAK dhe VV. Sipas kandidatit për kryetar të Junikut nga radhët e LVV-së, Jetmir Tofaj, i cili doli i treti në garë në zgjedhjet e 12 tetorit, marrëveshja është arritur në pajtim me kryesinë e LVV-së.

“Në përputhje me vendimin e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje! Qendra Junik dhe aprovimin e Kryesisë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje!, është marrë vendim që në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të mbështesim kandidatin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), z. Agron Kuçi”, ka shkruar ai në Facebook.

Njoftimin e zyrtarizoi edhe vet Agron Kuçi.

“Bashkëqytetar të dashtun ! Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, gjithnjë në interesin e përgjithshëm të qytetarëve, sonte bashkuam forcat për të ardhmen e Junikut. Një marrëveshje e fitores, e shpresës dhe e zhvillimit. Junikut po i kthehet energjia e punës, bashkëpunimit dhe përparimit. Urime koalicioni i shpresës,urime Junik!”, ka shkruar Kuçi.

Pejë

Koalicioni AAK-VV nëpër komuna mund të trashet edhe më tutje, nëse partia e Ramush Haradinajt ia pranon ftesën Taulant Kelmendit të VV-së në Pejë. Ky i fundit dje iu drejtua me shkresë Ali Berishës nga AAK-ja.

“Sot, si kandidat për Kryetar të Komunës së Pejës, i kam dërguar një ofertë zyrtare për bashkëpunim kryetarit të AAK në Pejë, Dr. Ali Berisha. Peja nuk mund të vazhdojë të qeveriset nga pazaret politike të ndërtuara mbi llogaritë e ngushta të pushtetit prandaj jemi transparent në këtë rrugëtim. Qyteti ynë meriton një qeverisje të përgjegjshme, me integritet dhe në shërbim të qytetarëve. Lëvizja VETËVENDOSJE! është e gatshme të marrë përgjegjësi për Pejën dhe të vendosë në qendër punën, drejtësinë dhe qytetarin. Koha e varësisë nga pazaret e fshehta me Gorazhdecin dhe Listën Serbe duhet të marrë fund. Më 9 nëntor fiton Peja, sepse jemi BASHKË me qytetarët që e votuan ndryshimin!”, ka shkruar Kelmendi.