Krejt çka (s’)dihet deri më tani për zjarrin vdekjeprurës në Zvicër

Ndërsa nata po afron mbi qendrën zvicerane të skive në Crans-Montana, ja një përmbledhje e shkurtër e asaj që dihet deri tani për zjarrin e mbrëmshëm – dhe e pikëpyetjeve që mbeten – bazuar në zhvillimet e ditës, raporton BBC.

Çka dihet:

Rreth 40 persona kanë humbur jetën dhe 115 janë plagosur, sipas autoriteteve.

Zjarri shpërtheu rreth orës 01:30 sipas kohës lokale, teksa brenda lokalit Le Constellation ndodhej një grup i ri njerëzish në atmosferë festive. Videot tregojnë se flakët u përhapën me shpejtësi në tavanin e errët të lokalit.

Ka “disa hipoteza” për shkakun e zjarrit, por autoritetet kanë përjashtuar mundësinë e një sulmi.

Vendet fqinje, Italia dhe Franca, si dhe Bashkimi Evropian, kanë ofruar mbështetje, përfshirë vënien në dispozicion të njësive të specializuara për trajtimin e djegieve.

Dëshmitarë okularë kanë përshkruar skena kaotike arratisjeje, ku disa persona u detyruan të thyenin dyert prej xhami me karrige dhe tavolina për të shpëtuar.

Çfarë nuk dihet ende:

Shkaku i saktë i zjarrit; Prokurorja e Përgjithshme Beatrice Pilloud ka refuzuar të konfirmojë deklarimet e dëshmitarëve se “qirinj ditëlindjeje” apo fishekzjarrë mbi një shishe shampanje mund t’i kenë vënë flakën tavanit.

Identitetet e viktimave mbeten të paqarta; presidenti zviceran Guy Parmelin ka thënë se procesi i identifikimit të të gjithë të vrarëve “do të marrë kohë”.

Numri i saktë i personave që ndodheshin në lokal në momentin kur zjarri shpërtheu në orët e para të mëngjesit.

Kapaciteti i lokalit “Le Constellation”; sipas prokurorisë lokale, kjo çështje do të hetohet.

Kombësitë e personave të përfshirë dhe nëse mes viktimave ka shtetas britanikë, pasi Mbreti Charles ka shprehur se është “thellësisht i pikëlluar” nga kjo tragjedi.