Krejt çfarë tha Rubin në përmbyllje të dëshmisë në Hagë

Rubin e nisi dëshminë e tij më 15 shtator, duke thënë se Hashim Thaçi kishte rol kryesisht politik dhe nuk kishte kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së. Sipas tij, ai duhej të merrte miratimin e komandantëve për çdo vendim të rëndësishëm ushtarak.

Ai tha se nuk kishte asnjë informacion që lidh Thaçin apo të akuzuarin tjetër, Jakup Krasniqi, me pretendimet për vrasje.

Rubin tha se ndërmjetësi i SHBA-së në Rambuje, Christopher Hill, kishte bërë përpjekje që të dëmtonte figurën e tij dhe të sekretares së Shtetit, Madeleine Albright. Sipas tij, Hill ishte “në favor të LDK-së dhe kundër UÇK-së”.

Ai u pyet edhe për rolin e Adem Demaçit brenda UÇK-së. Rubin tha se ndikimi i Demaçit, që kundërshtoi marrëveshjen e Rambujesë, ishte ideologjik dhe jo ekzekutiv dhe se angazhimet e Shteteve të Bashkuara ishin ato që, në fund, i mundësuan Hashim Thaçit të kapërcente rezistencën e tij.

Në ditën e dytë të dëshmisë, Rubin tha se përshtypja fillestare e SHBA-së për UÇK-në ishte se ajo ishte organizatë me aktivitet terrorist, por kjo përshtypje ndryshoi, pasi ajo u pajtua me marrëveshjen e Rambujesë.

Ai ishte kritik ndaj Gjykatës Speciale duke e cilësuar si të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të katër të akuzuarve, që Rubin tha se u dorëzuan vullnetarisht.

Rubin gjithashtu dëshmoi se nuk kishte kontroll dhe komandë efektive në UÇK dhe se si SHBA-ja e konsideronte Thaçin si udhëheqës të caktuar nga vetë shqiptarët.

Ndërkaq, në ditën e tretë dhe të fundit, Rubin bëri disa sqarime për deklarimet e tij para Gjykatës. Ai sqaroi se nuk e di nëse Thaçi ka përdorur emrin “tradhtar” nëse do të pranonte marrëveshjen, por tha se kjo mund të ketë qenë më shumë perceptimi i tij.

Ai po ashtu tha se komunikatat e lëshuara nga UÇK-ja ishin më shumë përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme sesa ishte.

Rubin theksoi nuk mendonte se Thaçi ishte ndonjë komandant kryesor i UÇK-së. /REL/