Analisti politik, Albert Krasniqi, ka thënë se votimi i fshehtë parashihet vetëm për seanca të rregullta.
Sipas tij, me votim të fshehtë, krijohet hapësirë për manipulime e blerje të votave.
Postimi:
Votimi i fshehtë është i paraparë për seancat plenare, të cilat janë seanca të rregullta pune gjatë gjithë mandatit të Kuvendit. Seanca konstituive, nga ana tjetër, është seanca e parë, themeluese e Kuvendit pas zgjedhjeve, me një rend dite të paracaktuar dhe me rregulla që nuk mund të ndryshohen gjatë zhvillimit të saj.
Duke llogaritur se përmes votimit të fshehtë mund të sigurohen vota që nuk u siguruan në votim të hapur, kjo krijon hapësirë për manipulime dhe blerje të mundshme votash, duke e shndërruar procesin në një akt të korruptuar. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit në këtë mënyrë do të përbënte një veprim të papranueshëm dhe të ulët në aspektin politik.
Lëvizja Vetëvendosje, në këtë rast, duket qartë se po abuzon me të drejtën për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit. Këtë të drejtë duket tashmë që veçse e ka humbur, ashtu siç ka humbur sot edhe besimin e dhënë nga PDK, e cila kishte besuar në një zgjidhje përmes dialogut.
VV duhet përfundimisht ose të propozojë një kandidat tjetër konsensual nga radhët e veta, ose partitë e tjera duhet të ndërmarrin hapa për të provokuar një vendim për të kërkuar pastaj interpretim nga Gjykata Kushtetuese, me qëllim që të gjendet një zgjidhje në përputhje me rendin kushtetues.