Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka vizituar sot në Hagë ish-presidentin, Hashim Thaçin.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi thotë se Thaçi ishte i qetë e i palëkundur, duke shtuar se ish-presidenti e di që e vërteta nuk mund të burgoset përgjithmonë.
Tutje, Krasniqi tha se Thaçi nuk pati asnjë ankesë, asnjë shenjë hidhërimi, ku shton se Thaçit po i mohohet e drejta për të parë babanë e tij të sëmurë.
“Sot, një tjetër vizitë në Hagë – në një vend që për Hashim Thaçin dhe çlirimtarët tanë është një betejë e re. Një front ku liria tash e pesë vjet po mbrohet ndryshe – me qëndresë dhe dinjitet. Presidenti Thaçi, si gjithmonë, i qetë dhe i palëkundur. E di se e vërteta nuk mund të burgoset përgjithmonë. Me të njëjtën energji dhe optimizëm, foli për Kosovën, për rrugën tonë dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë – e cila gjithmonë kërkon sakrificë dhe angazhim të pandalshëm”, ka shkruar Krasniqi.
“Asnjë ankesë, asnjë shenjë hidhërimi – edhe pse padrejtësisht i mohohet e drejta për të parë babanë e tij të sëmurë. Vetëm një besim i palëkundur se drejtësia, sado e vonuar, do të triumfojë. Dhe kur nata të kalojë e hija e padrejtësisë të shembet – me dritën e së vërtetës dhe të lirisë – Dielli do të lindë përsëri!”.