Krasniqi viziton Thaçin e Veselin në Hgaë: Drejtësia për çlirimtarët po afrohet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka realizuar një tjetër vizitë në Hagë, ku është takuar me ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe ish-Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, të cilët ndodhen në paraburgim prej gati pesë vitesh, përcjell KosovaPost.

Në një postim në Facebook, Krasniqi ka thënë se ndonëse procesi gjyqësor ndaj tyre po zvarritet padrejtësisht, ata mbeten të fortë dhe optimistë për drejtësinë që sipas tij, është afër.

“Edhe këtë herë, në çdo fjalë të tyre, e ndjeva të gjallë bindjen e palëkundur se drejtësia për çlirimtarët tanë po afrohet,” ka shkruar ai, duke shtuar se Thaçi dhe Veseli “bartën vetëm atë që populli kërkoi: luftën për liri”, ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi thekson se të dy liderët e PDK-së janë në gjendje të mirë shpirtërore dhe përcjellin përshëndetjet më të ngrohta për qytetarët e Kosovës, duke ndarë me ta dhembjen dhe gëzimin në çdo moment.

“Koha do ta nxjerrë të vërtetën në dritë dhe drejtësia, sado e vonuar, do të triumfojë mbi çdo padrejtësi,” tha ai, duke e përmbyllur me një mesazh të Presidentit Thaçi: “Dielli do të lind përsëri!”

The post Krasniqi viziton Thaçin e Veselin në Hgaë: Drejtësia për çlirimtarët po afrohet appeared first on Kosovapost.net.