Krasniqi tregon skenarin se si opozita mund ta ndalë bllokadën që po e përgatitë Kurti

Analisti politik Albert Krasniqi ka treguar skenarin se si opozita mund ta ndalë bllokadën e radhës që po e përgatitë Albin Kurti.

Ai ka bërë me dije se partitë opozitare e kanë një mundësi te vetme për ta ndalur Kurtin.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se opozita duhet që formalisht ta propozojë një kandidat për president për të nisur procedurën e zgjedhjes së presidentit.

“Opozita e ka vetëm edhe sot një mundësi të fundit për ta parandaluar bllokadën e radhës që po përgatitet nga Kurti, përmes krijimit të kushteve për zgjedhje të jashtëzakonshme. Kjo mund të arrihet duke nominuar një kandidat të dytë për President, krahas Konjufcës tashmë të propozuar, dhe duke qëndruar në sallë vetëm gjatë raundit të parë të votimit, për t’u larguar në raundet pasuese. Thirrja e një seance të jashtëzakonshme për këtë proces mund të bëhet me 40 nënshkrime”, ka shkruar ai.

Sipas tij, në këtë mënyrë do të aktivizohej rrjedha e afatit kushtetues prej 60 ditesh dhe do ta hapte rrugën për zgjedhje të reja.

“Në këtë mënyrë aktivizohet rrjedhja e afatit kushtetues prej 60 ditësh për zgjedhjen e Presidentit. Nëse brenda këtij afati Presidenti nuk zgjidhet, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme. Në të kundërtën, duke filluar nga nesër vendi rrezikon të hyjë në një cikël të ri bllokade institucionale, përmes manovrave procedurale dhe lojës me Gjykatën Kushtetuese, ku koha e zgjedhjeve do të diktohet nga momenti politik më i përshtatshëm për LVV-në”, ka shkruar Krasniqi.