Krasniqi thirrje sërish Osmanit: Shpalli zgjedhjet sa më parë, mos humb kohë

Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës i ka bërë thirrje Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, që të shpallë sa më parë zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe “të mos humbasë kohë”.

“Tani përgjegjësia është e qartë: Presidentja duhet të shpallë sa më shpejt datën e zgjedhjeve, që të mos humbim edhe më shumë kohë”, tha ai.

Postimi i plotë:

Pas më shumë se 9 muajsh zvarritje dhe improvizime, partia që doli e para në zgjedhje përsëri nuk arriti të formojë qeverinë. Edhe seanca e sotme ishte një skemë e dështimit të paralajmëruar.

Ky është rezultat i drejtpërdrejtë i mentalitetit bllokues dhe arrogant të Vetëvendosjes, që e ka mbajtur vendin në krizë institucionale për muaj të tërë.

Është rezultat i qasjes së një partie që nuk zgjodhi dialogun, por konfliktin; që nuk kërkoi zgjidhje, por përplasje; dhe që interesin e vendit e vuri pas interesit të vet partiak.

Si PDK, e kemi thënë hapur që nga dita e parë: nuk japim vota për vazhdimin e kësaj keqqeverisjeje.

Tani përgjegjësia është e qartë: Presidentja duhet të shpallë sa më shpejt datën e zgjedhjeve, që të mos humbim edhe më shumë kohë.

Kosova ka nevojë për stabilitet, seriozitet dhe qeverisje që merr përgjegjësi. PDK është gati për zgjedhje dhe për t’i dhënë vendit drejtim të ri.