Krasniqi me zyrtarë të PDK-së shkojnë në Burojë për ngushëllime: Dhimbja rritet për shkak të mungesës së Thaçit

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, bashkë me zyrtarë të lartë të PDK-së, kanë shkuar për ngushëllime në Burojë.

Krasniqi ka thënë se dhimbja bëhet më e madhe duke ditur se Hashim Thaçi nuk gjendet në Kosovë.

Krasniqi e ka kujtuar Haxhi Thaçin si njeri të buzëqeshur e si karakter epik.

“Ka qenë njeri që vërtetë i them më shumë se prind i njeriut që e ka udhëhequr procesin e çlirimit dhe pavarësisë së vendit. Karakter epik. Shqiptarët e mirë, të vërtetë, që kanë ditur me i eduku gjithë brezat. I buzëqeshur gjithmonë, njeri që na ka përkrahur gjithmonë, dhe fjalët e tij, këshillat e tij, kujtimet me të do t’i mbajmë gjithmonë si të veçanta. Vdekja bëhet edhe më e rëndë për shkak të mungesës së Thaçit, së paku pati mundësi ta takojë atë. Vërtetë kjo dhembje rritet për familjen, për neve, për shkakun e mungesës së presidentit Thaçi”, ka thënë Krasniqi.

Nëse Thaçi do të lirohet për të marrë pjesë në varimin e babait, kanë folur nga Specialja.

Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në një përgjigje për Periskopi është shprehur se për një çështje të tillë do të vendosë Paneli përgjegjës.

‘’Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave të paraburgosur që t’u bëjnë kërkesa gjyqtarëve kompetentë për arsye detyruese humanitare. Gjyqtarët do të vendosin për kërkesa të tilla’’, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara.

Më datë 13 mars Hashim Thaçi u lejua nga Haga të vijë në vizitë te i ati, pasi ju refuzua kërkesa për të katërtën herë.

Thaçi qëndroi tri orë në QKUK në të cilat ishte i rrethuar nga masa të rrepta sigurie nga policë të Speciales.