Krasniqi: Kurti po tallet, krizë që po thellohet me insistimin e LVV-së, PDK mbështet çdo iniciativë për të dalë prej saj

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës tha se vendi është zhytur në “një krizë që po thellohet” për shkak të insistimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të mos hequr dorë nga propozimi i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Krasniqi tha pas ndërprerjes së sërishme të seancës konstituive se “secili qytetar në Kosovë e di që ajo s’e ka mbështetjen”. Ai tha se kryetari i LVV-së Albin Kurti po tallet duke bërë deklarata se nuk ka krizë politike.

“Ka shumë shtete që i kanë mbajtur zgjedhjet dhe do t’i mbajnë zgjedhjet këtyre ditëve dhe ndoshta ata do t’i themelojnë institucionet e tyre, por me këtë qasje, këtë arbitraritet, ne do të mbesim pas institucione”, tha Krasniqi.

Lidhur me mundësinë e konsultimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë situatë, ai tha se “çdo iniciativë që e ka për qëllim me dalë prej krizës, me dalë prej bllokadës, Partia Demokratike e Kosovës e mbështet do ta mbështesë”.

Krasniqi i tha kryetarit të LVV-së, Albin Kurti që ta ndërrojë kandidaten për kryeparlamentare dhe ta sjell “sot pasdite” një emër tjetër, në mënyrë që të zgjidhet ngërçi.

Ai përsëriti se Kurti po e mban peng vendin për shkak se nuk i ka votat për qeverinë e re.