Eksperti i zgjedhjeve nga Demokraci Plus (D+), Albert Krasniqi, ka kritikuar ndryshimet e fundit në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, duke thënë se ato po e komplikojnë dhe dëmtojnë një proces që ka funksionuar më parë.
Sipas tij, disa nga ndryshimet e miratuara kanë sjellë vështirësi në administrimin e zgjedhjeve dhe nuk përputhen me standardet ndërkombëtare.
Ai ka përmendur pesë çështje kryesore problematike:
Ndryshimi i procesit të numërimit të votave – Numërimi i votave të kandidatëve në 38 qendra të veçanta komunale dhe jo në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është një proces i ndërlikuar dhe i vështirë për t’u menaxhuar, sidomos për shkak të mungesës së stafit të kualifikuar. Ky ndryshim, sipas Krasniqit, sjell vonesa dhe rrit tensionet në procesin zgjedhor.
Rritja e numrit të preferencave për kandidatët – Sipas tij, rritja nga 5 në 10 preferenca nuk përputhet me sjelljen e votuesve, të cilët deri tani mezi përzgjidhnin 4 kandidatë. Ky ndryshim ka shkaktuar tollovi në vendvotime, ka zgjatur kohën e votimit dhe ka zvogëluar gjasat e kandidatëve lokalë për t’u përfaqësuar në Kuvend.
Votimi fizik në ambasada – Krasniqi e ka cilësuar këtë metodë si të kushtueshme, të vështirë për t’u menaxhuar dhe të hapur ndaj keqpërdorimeve. Ai ka thënë se pjesëmarrja e ulët e votuesve nuk e justifikon këtë ndryshim, ndërsa votimi me postë kishte ulur kostot për mërgimtarët.
Ndryshimi i shënjimit të votuesve – Heqja e ngjyrës së padukshme që verifikohej me llampë UV dhe zëvendësimi me një shenjë të dukshme ka rezultuar joefektiv dhe rrit rrezikun e presionit ndaj votuesve, të cilët mund të detyrohen të votojnë sipas kërkesave të dikujt tjetër.
Heqja e heshtjes zgjedhore – Edhe pse në disa vende kjo praktikë nuk ekziston, Krasniqi thekson se në Kosovë ajo kishte një funksion të rëndësishëm, duke u dhënë votuesve hapësirën e nevojshme për të reflektuar pa ndërhyrje para votimit.
Ai ka paralajmëruar se këto ndryshime mund të ndikojnë negativisht në integritetin e procesit zgjedhor dhe të shkaktojnë probleme të mëdha në organizimin e zgjedhjeve të ardhshme.