Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus ka deklaruar se Albin Kurti, si mandatar për krijimin e qeverisë së re, nuk i ka numrat e nevojshëm për të formuar shumicën parlamentare.
Në një intervistë në emisionin “Rubikon”, Krasniqi tha se Kurti po përsërit një strategji të njohur politike, duke përdorur “bllofe” për të maskuar mungesën e mbështetjes, njësoj si në rastin kur nuk i kishte votat për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit.
”Deklaratat e atëhershme, kishin shkarje logjike sepse Kurti i cili ishte i interesuar të formonte sa më shpejt qeverinë dhe i kishte votat për vete, ato të njëjtat s’mund të llogariteshin për Albulena Haxhiun për t’u zgjedhur kryetare e kuvendit në mënyrë që t’i hapte rrugë, zgjedhjes së qeverisë dhe Kurtit 3”.
Sipas Krasniqit, edhe deklaratat e fundit të Kurtit, ku ai flet për analiza të rezultateve të zgjedhjeve lokale në vend që të fokusohet në negociatat për formimin e qeverisë, tregojnë mungesë serioziteti në proces.
”Dhe ashtu siç nuk i ka pasur atëherë për kryetare të kuvendit dhe bënte bllofa të tillë, kjo është vazhdimësi e një retorike të tillë, për të arsyetuar mungesën e numrave që ka”.
”Është edhe një deklaratë tjetër, pas mandatimit ku thotë se tani jemi duke bërë analiza për rezultatet e zgjedhjeve lokale, dhe nuk jep interesim se është duke punuar për të formuar qeverinë”.
”Ai është afati, maksimal – dhe zakonisht qeveritë që i kanë pasur numrat, e kanë bërë që atë ditë, nuk kanë pritur as të nesërmen që ta formojnë qeverinë. Po në rregull, edhe kur nuk janë numrat të paktën shohim përpjekje prej atyre të mandatuarve, që të kenë takime të tjera, për të krijuar shumicën për përbërjen e qeverisë”.
”Por, Kurti tani ka zhvendosur në diskurs, duke u munduar të heq presionin publik, mbi mosaktivitetin e tij për të formuar qeverinë. Thotë se jemi duke bërë analiza të zgjedhjeve lokale. ‘Qendrat i bëjnë analizat’ thotë, dhe ‘ju keni kohë të bëni gjëra të tjera’ ”.