Krasniqi: Haxhiu nuk kalon as për të 100-n herë

Tentim për ta mbajtur pushtetin me çdo kusht në mënyrë të paligjshme dhe jo kushtetuese e ka quajtur kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi propozimin për herë të dytë nga VV-ja për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit.

Krasniqi pas mbylljes së seancës ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka marrë besimin qytetar por nuk po pajtohet me verdiktin që ia kanë dhënë ata.

Ai ka shtuar se në mungesë të shumicës parlamentare Albin Kurti e VV-ja edhe sot për të dhjetën herë tentuan që në forma të paligjshme, jokushtetuese dhe siç është shprehur ai ‘duke keqpërdorur mënyrën më eklatante një njeri të moshuar që është deputet’ të imponojnë vullnetin e tyre duke e shkelur Kushtetutën hapur.

Krasniqi e ka bërë të qartë se PDK-ja nuk do ta votojë asnjëherë Albulena Haxhiun për kryekuvendare sepse sipas tyre Kuvendi nuk meriton ta ketë në krye një figurë të tillë.

“Në mungesë të shumicës parlamentare Albin Kurti e VV-ja edhe sot për të dhjetën herë po tentojnë që në forma të paligjshme, jokushtetuese, duke keqpërdorur mënyrën më eklatante një njeri të moshuar që është deputet, edhe sot tentuan që vërtetë të imponojnë vullnetin e tyre duke e shkelur Kushtetutën hapur. Ja u bëjmë të qartë, qytetarët nuk na kanë votuar as për ta shkelur ligjin e as Kushtetutën, na kanë votuar për tu dhënë institucione. As herën e parë, as të dhjetën e as herën e 100 nuk kalon Albulena Haxhiu sepse nuk e meriton ky Kuvend ta ketë në krye një figurë të tillë”, ka deklaruar ai.