Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, deklaroi sot se formimi i shumicës parlamentare që do të mundësonte konstituimin e Kuvendit të Kosovës është shumë i thjeshtë. Sipas tij duhen vetëm 19 votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për votat e tjera, kujdeset ai vet.
“Matematika është shumë e thjeshtë, vetëm 19 vota të LDK-së unë i bëj tjerat dhe bëhemi 61. Matematikën e dini edhe ju, edhe unë, edhe secili, këtu ka deputetë të Kosovës, pa Listën Serbe, që partitë e ish-opozitës e bëjnë 61-shin”, tha Krasniqi, pas dështimit të 31-të radhazi për të konstituuar Kuvendin.
Sipas Krasniqit, përgjegjësia që Kuvendi të dalë nga bllokada që ka paralizuar procesin institucional qëndron te deputetët e LDK-së.
“Jemi të gatshëm që me 19 votat e LDK-së të formojmë shumicën. Kosova ka nevojë për stabilitet, që institucionet të funksionojnë dhe vendimmarrja të kthehet në normalitet”, theksoi ai.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shpalosur dje planin e LDK-së për një qeveri gjithpërfshirëse, pasi siç ka thënë ai as partia që ka qenë në pushtet e as partitë e ish-opozitës nuk e kanë shumicën.
Abdixhiku në një konferencë për media ka thënë se partitë politike duhet të ulen dhe të punojnë bashkë në këtë drejtim.
“Nuk duhet ta trajtojmë qytetarin tonë si një leckë prej votash që duhet ta trajtojmë çdo katër vjet, e të mos kemi asnjë lloj përgjegjësie. Le të ulemi bashkë, le të punojmë bashkë, le të emancipohemi dhe edukojmë dhe përmes këtij procesi edhe e reformojmë skenën politike të Kosovës.
Në një kohë të cinizmit e konfuzionet, ne zgjedhim të besojmë se përgjegjësia është ende e mundur, që shteti nuk është as pronë e partive por është trashëgimi dhe detyrim i qytetarëve, që krizën që po e kalojmë tani, nuk është fundi, por është një mundësi e shkëlqyeshme, për të pasur një fillim të mirë”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku shpalos planin 15 pikësh të LDK-së për Qeverinë e Unitetit